Bllokimi i lëvizjes në juglindje të vendit prek dhe pikat e rëndësishme kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, me të cilat ka një aktivitet të ndjeshëm tregtar sidomos me shtetin helen. Me të dy këto shtete u realizua një volum tregtar prej 117 miliardë lekësh në vitin 2025 (importe+eksporte), apo rreth 1.2 miliardë euro.
Kjo shumë, sipas INSTAT përbën rreth një të dhjetën e volumit tregtar gjithesj në vend (9.5%).Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2025, volumi tregtar me Greqinë (importe +eksportet) ishin 94 miliardë lekë, ose 960 milionë euro, duke përbërë 7.6% të totalit të tregtisë.
Nga Greqia u importuan 70 miliardë lekë mallra, Ky shtet është partneri i katërt i importeve në vend, pas Italisë, Kinës dhe Turqisë, me 8% të totalit. Produktet kryesore që importohen nga Greqia janë lëndët djegëse, artikujt e veshjeve, përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave, etj, pastika dhe artikuj prej tyre, frutat dhe arrat e ngrënshme.
Me e rëndësishme është Greqia për eksportet tona. Shteti fqinj është partneri i tretë për eksportet, pas Italisë, e Kosovës, me 7% të totalit, ose 24 miliardë lekë. Produkti kryesor i eksportuar janë artikujt e veshjeve, për shkak të industrisë fason, në jug të vendit, që punon me shtetin fqinjë, e ndjekur nga përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave, etj.
Interesant është që bilanci tregtar për zarzavatet me Greqinë është shumë i ulët, që do të thotë pothuajse sa importojmë, aq dhe eksportojmë.
Maqedonia e Veriut është partneri i shtatë për eksportet, (pas Italisë, Kosovës, Greqisë, Gjermanisë, Spanjës e Kinës).Drejt këtij shteti u eksportuan në 2025-n rreth 9 miliardë lekë, ose 2.6% e totalit. Produkti kryesor i eksportuar janë lëndët djegëse, të ndjekura nga zarzavatet. Importet nga Maqedonia e Veriut ishin 14 miliardë lekë në 2025-n, ose 1.5% e totalit. Produktet kryesore të importuara janë lëndët djegëse të ndjekura nga çimento.
Për fat të mirë, pjesa më e madhe e tregtisë në vend realizohet përmes transportit detar, kryesisht në Portin e Durrësit, teksa partnerët kreysorë janë vende si Italia, Kina e Turqia (ndonëse kjo e fundit kryen dhe transport rrugor)./ Monitor
