Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar sqarime nga ministri i Financave, Petrit Malaj, lidhur me përfshirjen e kategorisë së personave invalidë në bonusin e fundvitit. Braçe pyeti nëse këta persona do të përfitojnë nga ndihma financiare që shpërndahet çdo vit në këtë periudhë.

Në përgjigjen e tij, ministri Malaj sqaroi se për çdo kategori të veçantë, përfshirë personat me aftësi të kufizuara, do të ketë një vendimmarrje të veçantë. Ai theksoi se përfshirja e kategorive të ndryshme në bonusin e fundvitit do të varet nga mundësitë financiare të shtetit dhe nga buxheti që do të alokohet për këtë qëllim.

Erion Braçe: Pyetja tjetër lidhet me një kategori që, me thënë të drejtën, nuk ka përfituar nga bonusi i pranverës i këtij viti e që natyrisht ka krijuar një shqetësim se janë thuajse të njëjtit njerëz, për shkak se një pjesë  paguhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe një pjesë paguan nga shërbimi social shtetëror. Pra bëhet fjalë për invalidë, të lindur të tillë apo të bërë të tillë gjatë periudhës së jetës së tyre që, janë një numër i konsiderueshëm, 50.000, 60.000 njerëz, të cilët nuk kanë përfituar bonus pranvere. Pyetja është që drejtpërdrejt, çfarë do ndodhi me këta, me këtë bonusin që do paguajmë ne tani në dimër?

Petrit Malaj: Për të gjithë kategoritë e tjera, natyrisht, kjo kërkon një lloj vendimmarrje, duhet që kërkesat të na vijnë nga institucionet relevante, dhe pastaj në varësi dhe të mundësive financiare që kemi, patjetër që do të konsiderohen për të marrë një bonus. Do të shohim nëse ecuria ekonomike do të jetë sipas parashikimeve që ne kemi deri në fund të muajit dhjetor, atëherë, bazuar edhe në kursimet që do të kenë me një akt normativ do të vlerësojmë nëse dhe kjo kategori do të përfitojë një bonus në fund të këtij viti.