Më 4 nëntor 2025 kryeministri Edi Rama njoftoi shtesat mbi pensionet që do të aplikohen për tre vitet e ardhshme. Por ndryshe nga tradita e shpërblimeve një herë në vit, këtë herë bonusi shpërndahet përgjatë 12 muajve.

Vendimi, i miratuar në 30 dhjetor, zbuloi një sërë kufizimesh për përfitimin e bonuseve. Kush ka një pension mbi 40 mijë lekë nuk do të ketë asnjë qindarkë shtesë. Bëhet fjalë për afro 36 mijë pensionistë. Bonusin 1800 lekë në muaj do ta marrin vetëm ata që kanë pension deri në 40 mijë lekë, ku përfshihen pensionet urbane të plota, nënat me shumë fëmijë, dhe ata që marrin pension për profesion të vështirë si minator, naftëtar apo metalurg.

Kategoria e dytë me 800 lekë bonus në muaj, përfitohet nga ata që kanë të pension deri në 22 mijë lekë, ku bëjnë pjesë pensionet e pjesshme urbane apo pensionet sociale që përfitohen pasi mbushet mosha 70 vjeç.

1 mijë lekë do të marrin ata me pension deri në 18 mijë lekë, ku futen pensionet rurale, kurse ata që do të përfitojnë 600 lekë ose pensionet familjare nuk duhet të kenë të ardhura mbi 30 mijë lekë, si dhe grupi i fundit i përfituesve, ata me pension invaliditeti duhet të kenë deri 18 mijë lekë pension që të marrin shpërblimin mujor 700 lekë.

Nga ana tjetër, këto tavane, për përfitimin e bonusit, përbëjnë një kufizim më vete, për ata që kanë pensione në vlera të afërta me tavanet. Këta pensionistë nuk do e marrin të plotë kompensimin mujor. Për shembull, nëse një qytetar ka pension 39 mijë lekë, e për pasojë do duhet të ishte përfitues i bonusit 1800 lekë në muaj, ai në të vërtetë, do të marrë vetëm 1 mijë lekë nga bonusi, në mënyrë që të mos kalojë tavanin prej 40 mijë lekësh. E po kështu dhe për rastet e ngjashme me tavanet e tjera.

Përfitues të këtyre bonuseve do të jenë edhe ata qytetarë, të cilët lidhin pensionin gjatë këtij viti, sërish me kusht që mos kalojnë tavanet e caktuara në këtë vendim.

Sipas shifrave pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore rezulton se në total do të marrin bonus mujor 727 mijë pensionistë nga në vend janë gati 763 mijë që janë në total. Vetëm 36% e tyre do të marrin 1800 lekë në muaj, pasi pjesa dërrmuese gati 41% do marrin 800 lekë, ndjekur nga 10.3% që do të marrin 1 mijë lekë, e pjesa tjetër janë në vlerat 600-700 lekë.

Nga ky vit gjithashtu rritet mosha e daljes në pension për gratë. Nga 61 vjeç e 10 muaj këtë vit, dalin në pension pasi të mbushin 62 vjeç, kurse për burrat do të vazhdojë të jetë 65 vjeç, deri në 2031. Pas kësaj periudhe rritja do të jetë më një muaj çdo vit derisa të plotësohet pragu prej 67 vjeç. Për të dyja gjinitë rriten edhe vitet e punës për të marrë pension të plotë nga 38 vite e 8 muaj në 39 vite punë.