Qeveria shqiptare ka shpallur si objektiv që deri në vitin 2030 të garantojë një pension mesatar prej 400 eurosh për ata që kanë kontribuar plotësisht në sistemin e sigurimeve shoqërore, si dhe një pension minimal prej 200 eurosh. Ky synim është pjesë e një reforme gjithëpërfshirëse që ka për qëllim forcimin e mbrojtjes sociale dhe rritjen e standardit të jetesës për pensionistët.

Në këtë kuadër, autoritetet po bashkëpunojnë me ekspertët e Bankës Botërore për hartimin e një sistemi të ri pensionesh, që pritet të përmirësojë mbështetjen për mbi 721 mijë pensionistë në vend. Një komponent kyç i planit është digjitalizimi i plotë i sigurimeve shoqërore, i cili do të ofrojë shërbime më të shpejta dhe më të aksesueshme për qytetarët, duke rritur transparencën, gjurmueshmërinë e kontributeve dhe duke ulur nivelin e informalitetit në tregun e punës.

Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj reforme lidhet me masat për uljen e informalitetit, përmes këshillimit të vazhdueshëm të punëdhënësve dhe punëmarrësve, duke zgjeruar kështu bazën e kontributeve dhe duke siguruar një mbështetje më të fortë për rritjen e pensioneve. Parashikimet flasin se deri në vitin 2030, pensionet do të përfaqësojnë rreth 40% të të ardhurave të fituara gjatë jetës aktive të individëve, duke garantuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe dinjitoze.

Pjesë e planit është edhe sigurimi i portabilitetit ndërkufitar të pensioneve. Deri tani, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje me 16 shtete për njohjen e ndërsjellë të kontributeve, duke u mundësuar qytetarëve që kanë punuar jashtë vendit përfitimin e kontributeve të tyre.

Vetëm në vitin 2024, numri i kontribuesve të drejtpërdrejtë në skemën e sigurimeve shoqërore arriti në 805,416 persona, me një rritje prej 22,164 individësh krahasuar me një vit më parë, ose 3% më shumë. Aktualisht, pensioni mesatar në Shqipëri është rreth 300 euro, një rritje e ndjeshme në krahasim me vitin 2013, kur ky nivel ishte vetëm 111 euro.