Çmimet e konsumit kanë parë një ngadalësim të lehtë përgjatë tetorit duke bërë që inflacioni sipas INSTAT të zbresë në 2.3%, nga 2.4% që ishte në muajin shtator.
Por, pavarësisht kësaj statistikat evidentojnë një shtrenjtim të ndjeshëm të çmimeve të qirave në vend. Sipas INSTAT, qiratë u shtrenjtuan me 0.87% në tetor, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja ishte edhe më e fortë me 4.3%.
Të larta kanë rezultuar edhe çmimet e artikujve ushqimore, aty ku shqiptarët shpenzojnë edhe pjesën më të madhe të buxheteve familjare. Në tetor, çmimet e ushqimeve dhe pijeve dhanë një kontribut me 0.55% në ecurinë e inflacionit. Brenda grupit të ushqimeve, rritja më e madhe u vërejt nën nëngrupet e vajrave e yndyrnave si dhe në ato të bulmetit e produkteve të mishit.
Më shtrenjtë po kushton edhe arredimi e mobilimi i shtëpive, komunikimi si dhe transporti. Edhe çmimet e shërbimeve u rritën më tej përgjatë muajit të kaluar pasi grupi i hoteleve, bareve e restoranteve pati një ndikim me 0.13% në inflacion në tetor. Ndërsa jemi në prag të festive të nëntorit dhe të fundvitit, inflacioni pritet të ketë një rritje siç ndodh tradicionalisht këtë periudhë.
Megjithatë, pavarësisht luhatjeve, inflacioni vijon të qëndrojë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Nisur nga kjo por edhe ecuria e përgjithshme e ekonomisë, institucioni vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në mbledhjen e fundit. në vlerësimet e bankës qendrore, inflacioni pritet të kthehet në objektiv në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
