Çmimet e konsumit në Shqipëri u rritën me 2,7% në shtator, krahasuar me një vit më parë. Sipas INSTAT-it, ushqimet dhanë kontributin më të madh në inflacion, ndërsa transporti dhe argëtimi regjistruan shtrenjtimet më të forta vjetore.
Çmimet e konsumit në Shqipëri u rritën me 2,7% në shtator 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa vetëm gjatë një muaji shtrenjtimi ishte 0,4%. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, ushqimet, transporti dhe shërbimet e argëtimit ishin ndër faktorët kryesorë që ndikuan në rritjen e inflacionit.
Ushqimet dhe pijet joalkoolike vijojnë të rëndojnë në buxhetet familjare, duke dhënë kontributin më të madh në inflacionin vjetor, me 0,78 pikë përqindjeje. Çmimet e këtij grupi u rritën me 2,3% krahasuar me shtatorin e vitit 2025, ndërsa vetëm gjatë muajit shtator shënuan një tjetër rritje prej 1,1%.
Shtrenjtim i ndjeshëm u regjistrua edhe në transport, ku çmimet u rritën me 7,1% në krahasim vjetor, duke kontribuar me 0,59 pikë përqindjeje në inflacionin total.
Rritjen më të lartë vjetore e shënuan shërbimet e argëtimit, sportit dhe kulturës, me 8,7%, duke dhënë një kontribut prej 0,56 pikë përqindjeje.
Ad
Sipas INSTAT-it, më shumë kushtuan edhe pijet alkoolike dhe duhani, me rritje 3,2%, shërbimet arsimore me 3%, restorantet dhe akomodimi me 2,6%, si dhe shërbimet shëndetësore me 2,1%.
Në krahasimin me gushtin, rritjen më të madhe të çmimeve e shënoi arsimi, me 1,8%, i ndjekur nga argëtimi, sporti dhe kultura me 1,2%. Ushqimet u shtrenjtuan me 1,1%, ndërsa veshjet dhe këpucët me 0,9%.
Megjithatë, jo të gjitha produktet dhe shërbimet u shtrenjtuan. Çmimet e mobiljeve, pajisjeve shtëpiake dhe mirëmbajtjes së banesës ranë me 1,2%. Ulje pati edhe në restorante dhe akomodim me 0,5%, kujdesin personal me 0,3% dhe informacionin e komunikimin me 0,2%.
Të dhënat bazohen në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, i cili mat inflacionin sipas metodologjisë evropiane dhe mundëson krahasimin e çmimeve në Shqipëri me vendet e Bashkimit Evropian.
