Ekspertja e Ekonomisë Teuta Nunaj në një intervistë foli mbi situatën e këmbimit të monedhave të huaja në Shqipëri. Për sa kohë, tha ajo, kemi këtë situatë do të thotë që kemi monedhën tonë të fortë dhe që ka kërkesë, por dhe se kjo është tregues që kemi në sasi të mëdha të monedhave të huaja në qarkullim.
“Në Shqipëri kemi një kurs këmbimi i cili që është në këtë rast i vendosur, i lirë. Pra nuk kemi një kurs fiks në raport mes lekut dhe monedhave të huaja, gjë e cila do ta bënte të pandikuar pastaj efektin që mund të sillnin kërkesa ose oferta në treg.
Duke qenë se ky treg është i luhatshëm, në këtë rast kursi i përgjigjet ofertës. Duke qenë se kemi një kurs negativ të euros dhe një forcim të vazhdueshëm të lekut automatikisht kjo do të thotë në radhë të parë që ne kemi një ofertë më të madhe, apo një sasi shumë më të madhe eurosh në qarkullim se sa vetë tregu e kërkon dhe se sa vetë tregu e tërheq. Nëse do flisnim për arsyet, atëherë ato do t’i ndaja në dy pjesë. E para, janë ato që do t’i quaja arsyet formale apo zyrtare. Dhe së dyti, arsyet jo formale dhe jozyrtare.
Arsyet zyrtare janë që keni investime të mëdha të huaja në euro dhe këtu kam parasysh investimet në sasi të mëdha në pasuri të paluajtshme. Pra, nuk kemi hapje vendesh të reja pune që kjo para të ketë qarkulluar, përkundrazi është ngurtësuar. Së dyti, kemi nivel të lartë të remitancave, janë mbi 530 milionë euro në vetëm 6 muaj, që kuptohet që tejkalohet në nivel të madh parash. Dhe së treti, kemi një qarkullim më të madh të euros në treg, ku ne kemi këtë hyrje.
Kur flasim pastaj për arsyet jo formale, së pari është të pasurit e euros në treg në rrugë joformale, që nënkuptohet para në dorë të padeklaruara. Nëse tregu e përthith këtë para informale, kryesisht flasim në këtë rast në sektorin e ndërtimit apo turizmit, ku ka nivel të lartë të informalitetit, dhe të qënurit prezent në treg është një arsye e fortë e këtij kursi të ulët të euros. Nga kjo situatë grupet më të mëdha të interesit që humbasin nga kjo situatë janë kompanitë e eksporteve, pasi ata e shesin mallin e tyre në euro, por e blejnë në lekë.
Fituesit në këtë rast, janë ata qytetarë që mund të kenë kredi të marra me euro; janë ata qytetarë që duan të blejnë lekë e blejnë në euro shpenzojnë më pak lekë”, theksoi ndër të tjera ekspertja e Ekonomisë, Teuta Nunaj.