Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes zvarritjen e proceseve gjyqësore në Gjykatat Administrative në Shqipëri. Luljeta Kamberaj, 60 vjeçe, po endet prej 5 vitesh në dyert e gjykatave për një gjyq dëmshpërblimi.

Kamberaj thotë se po bën plot 5 vjet në pritje për caktimin e një date gjyqi nga Gjykata Administrative të Apelit në Tiranë. Ajo ka punuar me vite me radhë sanitare në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku është pushuar nga puna. Më vend të 4 sanitareve, janë emëruar 4 të reja.

Në vitin 2016 ka barë padi në Gjykatën Administrative të Vlorës, sëbashku me koleget e saj që u hoqën nga puna. Disa fituan procese gjyqësore dhe disa të tjera humbën. Të gjitha, iu drejtuan Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë për vendim të formës së prerë. Por, gjatë 5 viteve, nuk është bërë asnjë seancë gjyqësore, pasi i thonë gjithmonë “je në pritje”. Ajo pohon se po shkon 60 vjeçe dhe gjatë kësaj kohe ka pasur probleme shëndetësore. Ndërkohë, s’ka marr as ndihmë nga shteti, asnjë lloj gjëje.

Pas ankesës, gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë. Punonjësit i thonë Fiksit se gjyqtarja që e ka marrë në dorë çështjen ende s’ka caktuar një datë gjyqi. Sipas tyre, gjyqtarja Blerona Hasa po gjykon ende çështjet e vitit 2015, pra të 6 viteve më parë!

Ndërkohë, të njëjtin fat si Luljeta e kanë me mijëra persona që kanë procese administrative në këtë gjykatë. Në të gjithë Shqipërinë ka vetëm 1 gjykatë administrative dhe apelimi i vendimeve nga gjykatat administrative të rretheve ka sjellë një mbingarkesë në këtë gjykatë, duke sjellë zvarritjen e proceseve. Prej vitesh, Top Channel ka denoncuar këto zvarritje, por deri më sot nuk ka asnjë zgjidhje.

Reforma e kryer para disa viteve ka sjellë këtë situatë. Por, rasti i kësaj gjykate mund të përsëritet, pasi njerëzit e vendosur nga organet vendimmarrëse të së ashtuquajturës “drejtësisë së re” kanë kërkuar që të vetëm vetëm 1 gjykatë Apeli në të gjithë vendin. Madje, disa gjykata rrethesh të shkrihen, duke u mohuar njerëzve aksesin në sistemin gjyqësor.

Por, reforma e “hartës së re të gjykatave” mund të sjellë përsëritjen e situatës në Gjykatën Administrative të Apelit, pasi koha e tregoi se ky sistem ka dështuar. Por, a do të kemi të njëjtin fat?!