Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri (CCIA) ka kërkuar që hartimi i Paketës Fiskale 2027 të garantojë parashikueshmëri për biznesin, duke vlerësuar ndikimin e ndryshimeve të propozuara në investime, punësim dhe marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në një deklaratë për mediet lidhur me paketën e re fiskale, Dhoma vlerëson se propozimet duhet të shoqërohen me një analizë të plotë të efekteve ekonomike, veçanërisht për ndërhyrjet që mund të sjellin kosto shtesë për bizneset dhe konsumatorët.

CCIA mirëpret ruajtjen e normës së tatimit mbi fitimin e shoqërive në 15%, si dhe parashikimin e TVSH-së 6% për produktet ushqimore bazë. Megjithatë, thekson se efektiviteti i kësaj mase do të varet nga reflektimi i saj në çmimet përfundimtare për konsumatorët.

Ndërkohë, Dhoma shpreh vëmendje për efektet e rritjes së propozuar të tatimit mbi dividendët nga 8% në 15% dhe të TVSH-së standarde nga 20% në 21%, duke argumentuar se këto ndryshime mund të ndikojnë përkatësisht në kthimin neto nga kapitali dhe në çmimet apo marzhet e bizneseve.

Sipas CCIA-s, ndikimi i masave fiskale do të jetë i ndryshëm në varësi të sektorit, madhësisë së ndërmarrjeve, aksesit në financim dhe detyrimeve kontraktore. Në këtë kontekst, Dhoma nënvizon se neutraliteti fiskal për buxhetin publik nuk nënkupton domosdoshmërisht shpërndarje të barabartë të kostove dhe përfitimeve mes bizneseve dhe familjeve.

Një tjetër çështje e ngritur nga Dhoma lidhet me nevojën për stabilitet dhe parashikueshmëri të kuadrit fiskal. Sipas saj, ndryshimet e shpeshta ose të miratuara brenda afateve të shkurtra mund të vështirësojnë planifikimin e bizneseve që kanë marrë angazhime financiare, kanë lidhur kontrata apo kanë investuar në punësim.

CCIA vë në dukje se kostot që mund të sjellë përshtatja e sistemeve të faturimit, kontabilitetit dhe kontratave, si dhe ndikimin në likuiditet të afateve të pagesave dhe rikuperimit të kredive tatimore.

Në këtë drejtim, Dhoma kërkon thjeshtim të procedurave, udhëzime të unifikuara, asistencë për tatimpaguesit dhe rimbursime në kohë, duke theksuar se përmirësimi i administrimit të të ardhurave dhe lufta kundër evazionit duhet të vlerësohen edhe si alternativa ndaj rritjes së barrës tatimore.

Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri kërkon që konsultimi për Paketën Fiskale 2027 të vijojë edhe gjatë shqyrtimit të propozimeve dhe të reflektohet në përmbajtjen përfundimtare të tyre.

CCIA thekson se një reformë fiskale duhet të ndërthurë qëndrueshmërinë e financave publike me ruajtjen e kapaciteteve investuese të bizneseve dhe cilësinë e zbatimit, duke e konsideruar besimin e operatorëve ekonomikë si një element të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë.