Dimri sjell temperatura të ulëta, ditë të shkurtra dhe më shumë kohë të kaluar brenda, duke rritur përdorimin e teknologjisë. Sociologët thonë se pajisjet elektronike dhe rrjetet sociale ndihmojnë në mbajtjen e kontakteve kur moti e vështirëson lëvizjen, por paralelisht rrisin rrezikun e izolimit dhe zvogëlojnë komunikimin e drejtpërdrejtë. Shumë njerëz, sidomos të rinjtë, kalojnë orë të tëra para ekraneve, çka mund të ndikojë në mirëqenien emocionale dhe të shtojë ndjenjën e vetmisë. Megjithatë, teknologjia mbetet një mjet i vlefshëm lidhjeje kur përdoret me masë.

“Pjesa më e madhe e teknologjisë përdoret thjesht për të vrarë kohën, që do të thotë ndikon fuqimisht në psikologjinë dhe formimin e individit. Nuk flasim vetëm për pjesën e komunikimit, ne komunikojmë me familjarë, me të afër, çështje të jetës së përditshme, por kjo nuk është problem. Problem është kalimi i kohës në mënyrë jo efektive dhe përdorimi në mënyrë jo efektive i teknologjisë”, deklaroi sociologu Eriseld Kalemaj.

Specialistët rekomandojnë që periudhat e gjata në shtëpi të shoqërohen me aktivitete sociale, takime, ecje apo evente komunitare, për të ruajtur marrëdhëniet dhe kontaktet reale.

“Se jemi në stinën e dimrit nuk do të thotë që duhet të rrimë gjatë gjithë kohës me teknologjinë. Po kur nuk ishte teknologjia çfarë mund të bënim ne? A bënim një bisedë me familjen? Një shëtitje? A shkoje të konsumojë një kafe a çaj të ngrohtë? A mund të lexoje një libër? Pse këto nuk kanë më vlerë dhe quhen demode sot e duhet të rrish gjatë gjithë kohës nën efektin e teknologjisë? Teknologjia duhet të përdoret në masën dhe kohën e caktuar”, shtoi sociologu.

Në thelb, dimri dhe teknologjia nuk duhet të na largojnë, por të na kujtojnë rëndësinë e ekuilibrit mes botës dixhitale dhe asaj reale.