Një apel prekës për ndihmë është shpërndarë në rrjet për 40-vjeçarin nga Vlora, Ilir Sinaj, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe ka nevojë urgjente për trajtim jashtë Shqipërisë.

Iliri prej 7 ditësh është i shtruar në QSUT, ndërsa familjarët thonë se çdo minutë që kalon është jetik për të. Sipas diagnozës së mjekëve, ai vuan nga një diseksion i rëndë i aortës me pseudoaneurizëm gjigand, një gjendje tepër e rrezikshme që kërkon ndërhyrje të specializuar urgjente në Turqi, pasi në Shqipëri nuk mund të kryhet trajtimi i nevojshëm.

Familja e tij ndodhet përballë një beteje të pamundur ekonomike. Kostoja e operacionit dhe trajtimit i kalon 200 mijë euro, shumë që ata nuk kanë asnjë mundësi ta përballojnë.

40-vjeçari ka punuar kamarier dhe jeton me qira. Ai është baba i një djali 10-vjeçar që vuan nga Sindroma Down dhe që sot pret me ankth rikthimin e të atit në shtëpi.

“Djali kërkon çdo ditë të flasë me babain e tij”, thuhet në apelin e familjarëve, të cilët kërkojnë ndihmën e shqiptarëve për t’i dhënë Ilirit një shans për jetën.

Familjarët bëjnë me dije se gjendja e tij po përkeqësohet nga momenti në moment dhe se koha nuk pret më. Ata kanë hapur edhe një faqe GoFundMe për të mbledhur ndihma, ndërsa kërkojnë që kushdo që ka mundësi të kontribuojë ose të paktën ta shpërndajë apelin, pasi një shpërndarje mund të bëjë diferencën.