Monedha Europiane ka arritur një minimum të ri historik përballë lekut. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye këtë të enjte96.35 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Në fillim të këtij viti, përveç flukseve të njohura tashmë nga remitancat dhe turizmi, luhatja mund të jetë ndikuar edhe nga shitja e energjisë elektrike, e kryer nga Korporata Elektro-eEnergjetike Shqiptare.

Kursi i këmbimit Euro-Lek po e thekson rënien edhe në tremujorin e parë të vitit, një tendencë kjo e pazakontë në vitet e mëparshme. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë po vazhdon blerjet e valutës, me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të monedhës vendase ndaj Euros. Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i Euros do të kishte rënë në nivele më të ulëta.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 52%.