Një valë e fuqishme të nxehti ka pushtuar pjesë të mëdha të Evropës, me temperatura që në disa zona kanë kaluar mbi 40 gradë Celsius dhe kanë detyruar autoritetet të rrisin nivelin e masave mbrojtëse për qytetarët.
Italia ka aktivizuar për herë të parë këtë vit alarmin maksimal të vapës në të gjitha 27 qytetet kryesore të përfshira në sistemin kombëtar të monitorimit të temperaturave. Alarmi i kuq shtrihet nga qytetet veriore si Trieste deri në Palermo në jug të vendit dhe prek të gjithë popullsinë, jo vetëm grupet më të rrezikuara.
Autoritetet italiane u kanë bërë thirrje banorëve dhe turistëve të shmangin daljet gjatë orëve të pikut të temperaturave, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për të shmangur pasojat nga vapa ekstreme.
Ndërkohë, Austria ka regjistruar temperaturën më të lartë në historinë e saj. Në qytetin Bad Deutsch-Altenburg termometri shënoi 41.2 gradë Celsius, duke vendosur një rekord të ri kombëtar vetëm një ditë pas rekordit të mëparshëm.
Edhe Sllovakia ka regjistruar vlerat më të larta të temperaturave të matura ndonjëherë në vend, ndërsa situata në disa zona të Evropës Qendrore po përkeqësohet nga thatësira, zjarret dhe presioni mbi sistemet e furnizimit me energji.
Ekspertët e klimës paralajmërojnë se periudhat me temperatura ekstreme po shfaqen më shpesh dhe me intensitet më të lartë, një prirje që lidhet me ndryshimet klimatike globale.
Ndërsa vala e të nxehtit vijon, autoritetet evropiane po përballen me sfida të shumta për mbrojtjen e shëndetit publik, menaxhimin e transportit, energjisë dhe ndikimin e temperaturave të larta në turizëm.
