Javën e ardhshme pritet të prezantohen opsionet e mundshme të reformimit të skemës së pensioneve në konferencën ndërkombëtare “Reformimi i sistemit të pensioneve në Shqipëri”. Rritja e numrit të popullatës në moshë pensioni në raport me numrin e kontribuuesve në skemë, kanë bërë që qeveria të rishikojë skemën e sigurimeve, ku pensioni të lidhet direkt me masën e kontributeve. Risitë e skemës lidhen me vjetërsinë minimale për të përfituar pension pleqërie apo pension social, nivelin e kontributit të dhënë, si dhe më kryesorja ndryshimi i gjithë formulës së përfitimit.

Flasin ekspertët

Në raportin e fundit, FMN projekton se kontributet supozohet të rriten së bashku me PBB-në për punëtor. Stimulimet bazohen në një grup të thjeshtë supozimesh që lidhen me çdo masë reformuese, përfshirë reformën e pagave si dhe ndikimin e emigrimit në numrin e mundshëm të përfituesve. Eksperti për çështjet e pensioneve Ramadan Kondi, ka thënë në emisionin GDP në SCAN tv, se duhet të përdoren skema të kombinuara. “Skemat e kombinuara janë më të mira, madje duke përcaktuar dhe moshën kur duhet të fillojë, por futja në skemën kontribut për kontribuues, është një barë e papërballueshme. Buxheti i shtetit mund të mos marrë pjesë direkt në skemë, por duke përdorur reforma indirekte”, u shpreh eksperti Kondi. Skema e re që po ndërmerret së bashku me Bankën Botërore, synon ngushtimin e diferencës mes pensionit minimal dhe atij maksimal. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se vitin e kaluar, 51% e pensionistëve përfituan pension të pjesshëm.

Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi, në emisionin GDP, tha se kjo reformë konsiston në zhvillimin e parimit të pamjaftueshmërisë, duke siguruar përfitime më të larta për pensione nga skema e detyrueshme si dhe për kategoritë më vulnerabël të shoqërisë, siç janë pensionet e invaliditetit apo ato familjare. “Po shikojmë një qasje, ku po jepet konsulenca e ndërkombëtarëve për të parë kush është zgjidhja më e mirë. Mendoj se kjo reformë, do të ndikojë më shumë pozitivisht se reformat e kaluara, do të jetë më e qëndrueshme për të zgjidhur problematikat me deficitin e skemës, por dhe për nivelin e pensioneve në Republikën e Shqipërisë dukë ndikuar në mirqënie,” thotë ekspertja dhe pedagogia Radonshiqi. Aktualisht skema është me deficit, pasi kontributet nuk mbulojnë vlerën e pensioneve, për këtë arsye buxheti i shtetit paguan çdo vit rreth 500 milionë euro për ta financuar këtë skemë.

Sugjerimet e FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeron qeverinë shqiptare që të ndërmarrë një reformë të mirëfilltë në skemën e pensioneve. Referuar raportit të fundit të këtij institucioni, reformat e pensioneve mbetet një prioritet kryesor, edhe pse deficiti i skemës së pensioneve është aktualisht në një nivel historikisht të ulët, ndërsa bonusi i fundvitit është masë e përkohshme. Në raport theksohet se me detyrimet e pensioneve që tejkalojnë kontributet, sistemi i pensioneve në Shqipëri tashmë po përballet me një deficit dhe presionet mbi shpenzimet pritet të rriten në përputhje me tendencat e parashikuara demografike. “Raporti i varësisë së moshës së të moshuarve në Shqipëri, e cila aktualisht është 26 përqind, pritet të trefishohet deri në vitin 2070 në nivelin 83 përqind, një nivel shumë më i lartë se në vende të krahasueshme (50-60 përqind). Rritja e kostove të pensioneve mbështetet nga projeksionet e Kombeve të Bashkuara, mbi ecurinë demografike që pritet të ketë vendi në afatgjatë dhe peshën që zë popullsia e moshuar”, thuhet në raport.

Megjithatë FMN projekton se kontributet supozohet të rriten së bashku me PBB-në për punëtor. Simulimet bazohen në një grup të thjeshtë supozimesh që lidhen me çdo masë reformuese duke përfshirë reformën e pagave si dhe ndikimin i emigrimit në numrin e mundshëm të përfituesve në afat të gjatë (p.sh. ndërveprimi ndërmjet intensifikimit të emigrimit dhe numrit të përfituesve afatgjatë). Sipas FMN, megjithëse borxhi publik aktualisht është në rënie, Shqipëria vazhdon të përballet me emigracioni të lartë neto, një normë anemike të lindjeve dhe një popullsi në plakje. Përtej demografisë, kjo nënkupton shpenzime më të larta për skemën e pensioneve dhe ndikim në borxhin publik në afatgjatë.