E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë sociologia Eva Sinanaj. Ajo ka folur më shumë mbi deklaratën e bujshme të Neda Ballukut, ku akuzonte prindërit se po i rëndojnë gjyshërit me rritjen e nipërve të tyre. A bie dakord Eva me këtë deklaratë të Nedës?

Nuk mund të them që jam pro ose kundër për gjithë pjesën e deklaratës, por po ta marrim fraza-fraza idenë dhe logjikën e Nedës, vende-vende qëndron, vende-vende nuk qëndron. Panorama është pak më e gjerë. Është e vërtetë që ne kemi një traditë dhe kemi disa norma. Pjesa që unë nuk jam dakord është që të detyrosh prindërit e bashkëshortit ose prindërit e tu për të mbajtur fëmijët. Sepse prindërit nuk kanë vetëm 1 fëmijë, kanë 2-3, gjyshërit kanë shumë nipër dhe mbesa. Nëse gjyshërit kanë dëshirën e tyre, janë të mundur fizikisht, janë të mundur nga ana shëndetësore, mosha e tyre e lejon që të kujdesen për një fëmijë të vogël, me orare part-time ose me orare 8-orarëshe, kjo në varësi të kushteve dhe mundësive, dhe nëse bie dakordësia midis palëve dhe kjo vjen e natyrshme, e vullnetshme dhe me dëshirë, kjo nuk ka asgjë të keqe përveçëse ka të mira dhe ndihmon jo vetëm familjen e re por dhe mirërritjen emocionale të fëmijëve të vegjël.

Fëmija deri në moshën 3-vjeçare, periudha e çerdhes para se të shkojë në kopësht, ka nevojë për shërbim, për kujdes, dashuri, empati dhe kush më mirë se sa një i njohur i cili na ka rritur edhe ne dhe ne i besojmë, ka një traditë dhe kulturë që përcillet nga brezi në brez. Sepse në ditët që po jetojmë, pjesa e mosbesimit është bërë shumë e madhe, jo vetëm ndaj individit por dhe ndaj institucioneve që ofrojnë shërbime për fëmijët. Nëse ruhet masa dhe nëse asnjëra palë nuk përpiqet të zëvendësojë palën tjetër, pra gjyshërit janë gjyshër dhe nuk janë asnjëherë prindër, janë prindërit pastaj që mbajnë dhe balancat. Idealja është gjithmonë në synim për t’u arritur, por jo gjithmonë është e mundur për t’i arritur.  /TAR/