Ministria e Bujqësisë ka hapur sot aplikimet për Skemën Kombëtare të Bujqësisë për këtë vit, duke iu dhënë mundësi fermerëve për të përfituar mbështetje për bagëtitë, bletarinë apo edhe të mbjellat. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se kjo skemë është një hap konkret për të mbështetur prodhimin vendas.
“Një tjetër hap konkret për të mbështetur prodhimin vendas, formalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare”, shkruan Rama.
Ministri i bujqësisë, Andis Salla u bën thirrje fermerëve që të aplikojnë përmes portalit e-Albania për të përfituar për 12 masa mbështetesë që ofrohen me skemën e re kombëtare.
“Sëbashku krijuam skemën kombëtare. Është koha të aplikoni për 12 masa mbështetëse. Më 25 maj hapim thirrjen kombëtare, apliko”, tha Salla.
Skema e këtij viti vjen me një fond prej 5.2 miliardë lekë synon financimin edhe të fermave të vogla. Me skemën e re është përgjysmuar numri i bagëtive që duhet të ketë një blegtor për të përfituar. 12 mijë lekë për çdo krerë lopë do të marrin ata blegtorë që kanë tufa jo më të më të vogla se 5 bagëti, vjet ishte 10 mijë lekë për tufa jo më të vogla se 10 krerë. Ndërsa tek të imtat financimi është rritur nga 1200 lekë në 1.500 lekë për krerë për tufa jo më të vogla se 50 krerë, nga 100 krerë që ka qenë me skemën e vjetër.
Për herë të parë financimi do ketë edhe për dosat në 7 mijë lekë për krerë, kush ka tufë jo më pak se 5 krerë. Kurse për bletarinë, financimi dyfishohet në 20 mijë lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 25 koshere, nga 50 koshere që ka qenë detyrimi deri në vitin e kaluar.
