Vendimi i qeverisë për të rritur pagën minimale në 50 mijë lekë, ka hyrë në fuqi ditën e sotme. Nga sot e pagën minimale prej 50 mijë lekë e përfitojnë 307 mijë e 850 punonjës, të punësuar në sektorin publik dhe privat.

Në lidhje me këtë kostoja e rritur për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk do të paguhet nga biznesi por nga shteti, për 9 muajt e parë të zbatimit të saj. Paga minimale shënon rritjen e dytë në këto vite, pasi në vitin 2023, ajo u rrit nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë. 

Sipas qeverisë rritja e pagës minimale synon përmirësimin e standardit të jetesës, fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe mbrojtjen e nivelit të jetesës. Deri në vitin 2028 objektivi i qeverisë është që paga minimale të shkojë në 60 mijë lekë, ndërsa deri në përfundimin e mandatit të shkojë në 70 mijë lekë.