Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar rritje të rrezikut për zjarre në disa zona të Shqipërisë, si pasojë e temperaturave të larta që po përfshijnë vendin.

Sipas parashikimeve meteorologjike, rreziku më i lartë për zjarre pritet të premten në jugperëndim të qarkut të Shkodër dhe në verilindje të qarkut të Fier. Në këto zona, kushtet e thata dhe temperaturat e larta rrisin ndjeshëm mundësinë e përhapjes së flakëve.

Ndërkohë, në qarqet e Lezhë, Durrës dhe pjesë të Fierit, rreziku vlerësohet të jetë më i moderuar. Tirana, Elbasani, Berati, Vlora dhe Gjirokastra klasifikohen me rrezik më të ulët për zjarre, sipas të dhënave të fundit meteorologjike.

Sinoptikanët parashikojnë që të premten temperaturat maksimale të arrijnë deri në 34°C, ndërsa ato minimale deri në 22°C, duke sjellë një natë dhe mëngjes pa freski të ndjeshme.

Gjithashtu, pritet që pasditen e së enjtes dhe gjatë së premtes të ketë reshje të dobëta shiu, lokalisht mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata në Kukës, Dibër, Elbasan dhe Korçë, ndërsa në pjesën tjetër të vendit reshjet do të jenë të izoluara dhe të dobëta.