Në shërbimin spitalor në vend aktualisht janë të punësuar rreth 12 300 punonjës shëndetësie, megjithatë mungesa e mjekëve specialistë vijon të mbetet një problem i theksuar, veçanërisht në spitalet rajonale.

Për të adresuar këtë situatë, qeveria ka miratuar një vendim sipas të cilit mjekët specialistë që do të transferohen për të punuar në spitalet rajonale do të përfitojnë një bonus mujor prej 250 mijë lekësh, përveç pagës bazë. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave dhe synon të nxisë mbulimin e nevojave shëndetësore në zonat ku mungesa e specialistëve është më e theksuar.

Po ashtu, është vendosur që në rastet kur ka mungesë të mjekëve të urgjencës, të kryhen transferime të mjekëve nga sistemi parësor i kujdesit shëndetësor dhe nga Qendrat Shëndetësore, me qëllim garantimin e funksionimit të këtij shërbimi jetik.

Prej vitesh, profesioni i mjekut të urgjencës po refuzohet nga të rinjtë, çka ka sjellë boshllëqe të shumta në këtë sektor kyç për trajtimin e rasteve emergjente. Sipas të dhënave, çdo vit regjistrohen rreth 1 mijë vende vakante për punonjës shëndetësie, kryesisht në zonat e thella malore dhe larg qendrave urbane.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune për rikonceptimin e plotë të spitaleve rajonale në të gjithë vendin. Reforma parashikon rishikimin e largësisë së këtyre spitaleve nga qendrat e banuara, shfrytëzimin e shtretërve spitalorë si dhe riorganizimin e shërbimeve që ofrohen.

Qëllimi i kësaj nisme është profilizimi i spitaleve rajonale sipas nevojave reale të popullatës dhe përqendrimi i tyre në shërbime të caktuara, duke synuar rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor.