Ministria e Arsimit ka miratuar një udhëzim të ri, i cili vendos rregulla të rrepta për përdorimin e telefonave celularë në shkollat parauniversitare, me synimin për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të frenuar shpërqendrimin e nxënësve.
Sipas këtij dokumenti, përdorimi i telefonave gjatë orëve mësimore ndalohet rreptësisht. Nxënësit janë të detyruar të mbajnë pajisjet të fikura ose në modalitetin “silent”, pa mundësi për të telefonuar, dërguar mesazhe apo përdorur rrjetet sociale. Përdorimi i telefonit do të lejohet vetëm gjatë pushimeve dhe vetëm për nevoja urgjente. Përjashtimisht, mësuesi mund të autorizojë përdorimin e telefonit gjatë orës mësimore, në rast se kjo shërben për zhvillimin e temës së lëndës.
Një fokus i veçantë i udhëzimit është vënë tek administrimi i provimeve. Mbajtja e telefonit gjatë testimeve është ndaluar plotësisht, dhe çdo shkelje në këtë drejtim do të konsiderohet si tentativë për kopjim. Nxënësit e kapur me pajisje elektronike gjatë provimeve do të përballen me masa disiplinore, përfshirë anulimin e provimit. Përjashtim do të bëjnë vetëm ata nxënës me nevoja të veçanta shëndetësore, të cilët do të lejohen të përdorin pajisje të miratuara më parë nga drejtoria e shkollës.
