Zbritjen prej 48 mijë lekësh nga baza e tatueshme e të ardhurave, për çdo fëmijë në ngarkim, për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, do ta përfitojnë edhe ata individë që rezultojnë të punësuar qoftë edhe për vetëm një muaj gjatë vitit 2025.
Në ndryshimet e udhëzimit të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” nëpërmjet shembullit të ri, Ministria e Financave sqaron se kompensimin për fëmijët nën 18 vjeç do ta përfitojnë edhe ata individë që kanë qenë të punësuar vetëm për një muaj të vetëm.
Skema do të vijojë të jetë e njëjtë nëpërmjet rillogaritje së tatimit mbi të ardhurat, duke zbritur shpenzimet prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim të moshës deri 18 vjeç.
Kusht për përfitimin është plotësimi i Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA). Zbritjet e shpenzimeve nga totali i të ardhurave vjetore do të llogariten me DIVA-n që do të plotësohet brenda 31 Marsit 2026. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” detyrimin ligjor për plotësimin e DIVA e kanë vetëm individët e punësuar me të ardhura vjetore mbi 1,2 milionë lekë në vit.
Në shembullin e ri paraqitet rasti i një individi të punësuar vetëm në muajin Maj 2025 me pagë bruto 500,000 lekë, i cili ka në ngarkim një fëmijë të moshës 10 vjeç, i cili do të përfitojë kompensimin për fëmijën në ngarkim, sipas ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat.
Për vitin 2025, këtij individi i është mbajtur tatim prej 91,100 lekësh, por nga rillogaritja e tatimit, rezulton se pas zbritjeve te lejuara deri në 600,000 lekë (zbritjet janë të përcaktuara sipas nenit 22 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat) dhe kompensimit prej 48,000 lekësh për fëmijën, baza tatimore rezulton negative. Por sipas shembullit të ri, ku baza e tatueshme pas zbritjeve të lejuara rezulton negative do të konsiderohet 0 lekë. Për rrjedhojë edhe tatimi i rillogaritur është 0 lekë.
Si rezultat, individi ka të drejtë të marrë rimbursim të plotë të tatimit të paguar gjatë vitit 2025 për 1 muaj punë, pra me vlerë prej 91,100 lekë.
Shembull i ri që shtohet në udhëzim
Individi “C” gjatë vitit 2025 rezulton i punësuar vetëm në muajin maj dhe paga bruto që ka marrë në këtë muaj është 500,000 lekë. I punësuari ka një fëmijë në ngarkim të tij në moshën 10 vjeç dhe ka të ardhurat më të larta në familje, nuk ka aplikuar për zbritje si kontribut në ndonjë fond pensioni privat, por ndërkohë ka nënshkruar Deklaratën e Statusit Personal.
a) Tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi i llogaritur dhe paguar në listëpagesën mujore Të ardhurat e tatueshme – zbritjet e parashikuara në nenin 22, të ligjit = Baza e tatueshme e të ardhurës nga punësimi të individit në muajin maj: 500,000 lekë – 30,000 lekë = 470,000 lekë Tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi = (170,000 lekë * 13%) + [(470,000 lekë – 170,000 lekë) * 23%] = 22,100 lekë + 69,000 lekë= 91,100 lekë
b) Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi i llogaritur mbi të ardhurat vjetore Në kushtet që individi nuk ka të ardhura të tjera përveçse të ardhurës nga punësimi, ky individ nuk ka detyrim ligjor për të deklaruar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DVAP), sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Megjithatë, nëse ky individ zgjedh dhe deklaron DVAP, ku të ardhurat vjetore nga punësimi janë 500,000 lekë, atëherë zbritja nga baza e tatueshme do të jetë e gjithë shuma prej 500,000 lekësh.
Sipas nenit 22, të ligjit nr. 29/2023 për pagat vjetore deri në 600,000 lekë, lejohet një zbritje deri në 600,000 lekë nga baza vjetore, si dhe një kompensim prej 48,000 lekësh për fëmijën në ngarkim të tij, por në çdo rast baza tatimore nuk mund të jetë më e vogël se zero lekë. Në rastet kur diferenca midis të ardhurave vjetore të tatueshme dhe shumës totale të kompensimeve dhe zbritjeve është negative, baza tatimore vjetore konsiderohet të jetë zero. Në rastin konkret diferenca ndërmjet të ardhurës vjetore të tatueshme nga punësimi me shumën totale të zbritjeve rezulton negative prej -148,000 lekësh [500,000 lekë – (600,000 lekë + 48,000 lekë)], prandaj në këtë rast baza e tatueshme do të konsiderohet 0 lekë dhe detyrimi tatimor rrjedhimisht është 0 lekë.
c) Deklarata vjetore DVAP rezulton me tatim të mbipaguar: Nëse individi zgjedh të deklarojë DVAP atëherë tatimi i paguar në listëpagesën e muajit Maj, do t’i rimbursohet. Konkretisht administrata tatimore duhet të rimbursojë individin me diferencën ndërmjet tatimit të paguar me tatimin e llogaritur në DVAP = 91,100 lekë – 0 lekë = 91,100 lekë rimbursim për vlerën e mbipaguar nga tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi.
Si do të rillogaritet tatimi pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon zbritje nga baza e tatueshme prej 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim të moshës deri 18 vjeç, e përfiton çdo individ, pavarësisht nivelit të të ardhurave. Ndërsa shpenzimet fikse për arsimin me vlerë 100 mijë lekë në vit, pavarësisht numrit të fëmijëve, e përfitojnë vetëm individët me të ardhura deri në kufirin e 1,2 milionë lekëve në vit.
Prej individëve tatimi mbi të ardhurat nga paga është paguar çdo muaj për vitin 2025, por zbritja e shpenzimeve për fëmijët nga totali i të ardhurave vjetore të fituara nga punësimi, do të bëhet në Mars 2026 përmes plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Nëse në DIVA pas zbritjes së shpenzimeve do të shfaqet gjendje teprice kreditore, do të thotë se tatimet ndaj këtij individi kanë një borxh parash për të kthyer. Pra nëse tatimi i paguar gjatë vitit 2025 rezulton se është më i lartë se tatimi i llogaritur pas zbritjeve të shpenzimeve në DIVA, që do të plotësohet deri më 31 Mars 2026, në këtë rast individi ka të drejtë që brenda 3 muajve të kërkojë rimbursimin e parave, pra kthimin e tyre.
Në një çift bashkëshortësh të drejtën për zbritjen e shpenzimeve të fëmijëve në ngarkim dhe për arsimimin nëse plotësohet kufiri i të ardhurave e ka anëtari me të ardhura më të larta vjetore. Pra zbritja e shpenzimeve për fëmijët nga baza vjetore e tatueshme nuk përfitohet nga të dy prindërit e fëmijëve në ngarkim, por vetëm ai që ka të ardhurat më të larta të deklaruara.
15 mln euro llogaritet efekti për kompensimin e shpenzimeve për fëmijët
Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi së fundmi në Komisionin e Ligjeve, gjatë prezantimit të paketës fiskale, se vitin e ardhshëm nga zbatimi i kompensimit për shpenzimet e fëmijëve deri nën 18 vjeç, nëpërmjet deklaratës DIVA efekti financiar llogaritet 15 mln euro.
“Duke filluar nga viti i ardhshëm do të nisë zbatimi i lehtësive të parashikuar në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, që nëpërmjet Deklaratës Individuale të të Ardhurave/DIVA, t’ju vijmë në ndihmë edhe familjeve me fëmijë nën 18 vjeç.
Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç, do të ketë të drejtën që të zbresë nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave 48.000 lekë për çdo fëmijë.
Kjo do të thotë se norma efektive e tatimit që paguhet (raporti i tatimit të paguar mbi të ardhurat bruto) ulet ndjeshëm.
Sipas llogaritjeve paraprake, efekti financiar i kësaj nisme do të jetë 1.5 mld lekë ose 15 milionë euro më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare”. /Monitor/


