Teksa çmimi i banesave vijon të rritet dhe po të njëjtën kurbë po ndjek edhe çmimi i qirave, për qytetarët është bërë tepër e vështirë të marrin një vendim nëse duhet të marrin kredi për të blerë një banesë apo të qëndrojnë me qira.

Eksperti i pasurive të paluajtshme, Armand Shkëmbi, në emisionin “Mirëmngjes Shqipëri” në RTSH, shprehet se tregu i banesave në Tiranë ndodhet në një fazë të tejngopur, ku çmimet nuk pasqyrojnë realisht fuqinë blerëse të shqiptarëve, por janë rezultat i një deformimi të tregut. Sipas tij, në kryeqytet ka rreth 70 mijë apartamente bosh, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në mbajtjen e çmimeve të larta si në shitje, ashtu edhe në qira.

“Tiranën nuk e shoh aq pozitive në 5 vitet e ardhshme, pasi e ka arritur kulmin e vet dhe është e mbingopur me ndërtime. Deri tani ka rreth 70 mijë apartamente bosh, dhe kjo është një nga arsyet pse çmimet janë kaq të larta në shitje dhe qira. Nëse politika ndërhyn me iniciativa që motivojnë pronarët e apartamenteve bosh t’i nxjerrin në treg për qira ose shitje, për shembull duke taksuar më shumë pronën e dytë, atëherë nuk do të kishim arsye për këtë nivel të lartë çmimesh. Pagat tona nuk janë në nivelin për të përballuar këto çmime. Çmimet në Tiranë nuk pasqyrojnë realisht ekonominë e shqiptarëve, por një deformim të tregut, ku kemi një volum të jashtëzakonshëm pronash të blera që qëndrojnë të mbyllura me çelës bosh. Rreth 40% e popullsisë shqiptare jeton në emigracion, dhe një pjesë e tyre ka investuar në Tiranë duke blerë prona. Por minimumi duhet t’i fusin në treg, qoftë edhe me qira, sepse kjo do ta çlironte shumë tregun,” thekson Shkëmbi.

Shkëmbi u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes me investimet në pallate ende në ndërtim, të njohura ndryshe si “gropa ndërtimi”, pasi sipas tij, ky është një investim me risk të lartë.

“Nuk u sugjeroj njerëzve që spekulojnë dhe investojnë në gropa ndërtimi me idenë se do të rriten çmimet. Duhet të tregojnë kujdes. Ata që blejnë për banim ose për ta dhënë me qira janë në rregull, por një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë zbuluar “trendin” e futjes së lekëve në pallate ende në ndërtim me idenë se do të fitojnë kur ndërtesa të përfundojë. Një pjesë e mirë ia ka dalë t’i shesë me fitim, por kjo është me rrezik. Çfarë ndodh këtu? Potencialisht, firma ndërtuese mund të falimentojë, ndërtimi mund të mos përfundojë, ose mund të ketë luhatje ekonomike dhe ti mund të mbetesh brenda me lekët e tua. Nëse firma e ndërtimit ofron kredi në bashkëpunim me bankat, kjo është ndryshe, por unë nuk jam për spekulimin, sidomos kur njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për riskun. Shprehja “hajde t’i fusim lekët në gropë se ndoshta na del më mirë” është shumë e rrezikshme”, paralajmëroi ai.

Eksperti thekson se në rastet kur ndërtuesi bashkëpunon me banka për kredi, rreziku është më i ulët, por megjithatë, sipas tij, “spekulimi pa ndërgjegjësim për riskun është shumë i rrezikshëm.”

Sipas Shkëmbit, çmimet e apartamenteve në kryeqytet janë “të kripura”, duke bërë që shumë familje të reja të zgjedhin qiranë, e cila gjithashtu është rritur ndjeshëm për shkak të kërkesës së lartë.

“Çdo çift i ri që ka mundësi të marrë kredi, duhet ta bëjë këtë. Në kulturën tonë nuk e kemi shumë qejf kredinë sepse na duket si borxh, por sot jetojmë në kohën e marrjes së kredisë bankare. Rreth 55% e njerëzve në Tiranë dhe në të gjithë vendin marrin kredi për të blerë shtëpi, përgjithësisht të rinjtë,” — sqaron Shkëmbi.

Ai këshillon që kredia të merret në lekë, pasi euro ka luhatje dhe kjo mund të ndikojë në koston përfundimtare që përballon konsumatori. Në lidhje me preferencat e blerësve, Shkëmbi tregon se shqiptarët po bëhen më kërkues dhe më të kujdesshëm.

“Shqiptarët kanë filluar të rrisin kërkesat për një shtëpi. Nëse më parë zgjidhnin vetëm sipas metrit katror ose zonës, tani kanë kërkesa të tjera. Deri dje nuk kërkonin post parkimi, ndërsa sot është një nga nevojat më të rëndësishme. Një tjetër kërkesë është afërsia me shkollën e fëmijëve për lehtësi në përditshmëri. Ka zona të Tiranës, si Astiri, që ende nuk kanë shkolla të mjaftueshme. Liqeni mbetet ndër zonat më të kërkuara nga njerëzit që duan të shëtisin dhe të ecin në natyrë”, tha ai.

Zona më e shtrenjtë për të banuar mbetet sheshi “Skënderbej” dhe ish-Blloku, ku çmimet variojnë nga 3,500 deri në 4,000 euro për metër katror.

“Zona më e shtrenjtë për të banuar është sheshi “Skënderbej” dhe Blloku, ku çmimet shkojnë nga 3,500 deri në 4,000 euro për metër katror. Është më mirë që kredia të merret në lekë, pasi euro ka luhatje. Ka ndikuar pak rënia e euros, sepse kostoja e punës së ndërtuesve është në lekë dhe rritja e saj i transferohet apartamentit, pra konsumatorit final”, tha ai.

Në lidhje me trendin e ardhshëm të tregut, Shkëmbi vlerëson se qytetet bregdetare do të jenë më tërheqëse për banim.

“Kërkesa nuk vjen vetëm nga shqiptarët vendas, por edhe nga ata në emigrim, si dhe nga qytetarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Europës Qendrore,” tha ai.