Dy reparte ushtarake do të përfitojnë këtë vit 271 milionë euro investime, një shumë që përbën rreth 37% të të gjithë buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2026.
Bëhet fjalë për Repartin Ushtarak 3001, të lidhur me Komandën e Forcës Ajrore, dhe Repartin Ushtarak 1001, që lidhet me Komandën e Forcës Tokësore.
Sipas të dhënave nga thesari i Ministrisë së Financave, dy strukturat kanë një plan investimesh prej 25.7 miliardë lekësh, ose rreth 271 milionë euro.
Pjesën më të madhe të kësaj shume e merr Reparti Ushtarak 3001, me një plan investimesh prej 19.7 miliardë lekësh, rreth 28.5% e buxhetit total të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërsa Reparti Ushtarak 1001 ka në dispozicion 6 miliardë lekë, ose rreth 8.7% të buxhetit të Ministrisë.
Të dyja strukturat nuk lidhen vetëm me funksionimin e një reparti të veçantë.
Sipas të dhënave, fondet lidhen me kapacitete më të gjera të Forcës Tokësore dhe Forcës Ajrore.
Deri në fund të korrikut, nga fondi i planifikuar janë realizuar 7 miliardë lekë, rreth 82 milionë euro.
Reparti 1001 ka shpenzuar 2.4 miliardë lekë, ose rreth 40% të planit vjetor, ndërsa Reparti 3001 ka realizuar 4.6 miliardë lekë, rreth 23.4% të fondit të parashikuar për gjithë vitin.
Në total, deri në korrik është realizuar rreth 27.2% e planit vjetor, ndërsa kanë mbetur për t’u ekzekutuar rreth 18.7 miliardë lekë gjatë muajve të mbetur të vitit.
Investimet vijnë në një vit kur buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes është rritur ndjeshëm.
Fondet totale janë zgjeruar nga rreth 58.95 miliardë lekë në 69.23 miliardë lekë, me një shtesë prej 10.29 miliardë lekësh, ose 17.4%.
Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje, rreth 88%, është orientuar drejt programit “Forcat e Luftimit”, me financim që është zgjeruar në rreth 40.4 miliardë lekë.
Këto fonde synojnë forcimin e kapaciteteve luftarake dhe investimet në pajisje, teknologji, infrastrukturë dhe gatishmëri operacionale./MONITOR
