E ftuar në “Wake Up” ka qenë sot meteorologia e njohur, Lajda Porja, e cila ka treguar se kur do të jetë intensiteti më i lartë i reshjeve të shiut.
Sipas saj, këto reshje do të jenë në formë shtrëngate, do të ketë rrebeshe dhe do të shoqërohen me stuhi të forta ere.
“Intensiteti më i lartë i reshjeve është sot pasdite, pra fillojnë që rreth orës 2 apo 3 të pasdites ku ka edhe zhvillim. Intensiteti më i lartë është sonte në mbrëmje dhe gjatë ditës së mërkurë. Është i rrezikuar i gjithë territori nga reshjet që do të jenë në formë shtrëngate, do ketë rrebeshe, do të shoqërohen me stuhi të forta ere. Kur themi në formë shtrëngatash, herë pas here shoqërohen edhe me bubullima, me vetëtime dhe shkarkesa elektrike. Parashikohet që të paktën deri ditën e enjte ku ka një rënie të intensitetit, situata të jetë kritike”, tha meteorologia.
Porja u shpreh se kanë dhënë informacionet tek institucionet e duhura që të dalin me paralajmërime.
“Për ata që nuk e kanë të nevojshme për të dalë, nuk kanë pse të dalin nga shtëpia. Për të gjithë ata që duhet të dalin në punë patjetër. Ka problematikë edhe me stuhitë e erës. Stuhitë e erës edhe pse janë për disa minuta, era ka probleme me pemët, me pemët e vjetra.
Megjithatë mund të them se kemi një shkëputje të enjten ose një ulje të intensitetit të reshjeve, ku do të jenë të pakta. Nisin sërish të premten dhe më fuqishëm të shtunën”, tha Lajda Porja.




