Prej dhjetë ditësh ka hyrë në zbatim sistemi bonus-malus, një mekanizëm i ri që ndryshon mënyrën se si llogaritet çmimi i siguracionit të automjeteve, duke penalizuar drejtuesit që kanë shkaktuar aksidente dhe duke favorizuar ata me histori të pastër drejtimi.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur polica e sigurimit ishte pothuajse standarde për të gjithë drejtuesit e mjeteve, nga viti 2025 është vendosur një sistem i diferencuar, ku jo të gjithë paguajnë të njëjtin çmim. Tarifa tashmë përcaktohet mbi bazën e disa faktorëve të riskut, përfshirë moshën e drejtuesit, vjetërsinë e mjetit, fuqinë motorike, qarkun ku është regjistruar automjeti, si edhe historikun e aksidenteve.

Sipas përfaqësueses së Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, Mimoza Hajdarmataj, aplikimi i sistemit bonus-malus u shty me një vit për t’i dhënë kohë kompanive të sigurimit të krijonin një databazë të përbashkët mbi sjelljen e drejtuesve të mjeteve në rrugë. Tashmë, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ashtu edhe kompanitë e sigurimit disponojnë një historik të dëmeve, i cili ndikon drejtpërdrejt në çmimin e policës.

“Ky është një mekanizëm që synon të reflektojë sjelljen reale të drejtuesve të mjeteve. Nëse një drejtues ka shkaktuar aksident dhe dëm ndaj palëve të treta, polica e sigurimit do të rritet në përpjesëtim me dëmin e shkaktuar”, shpjegon Hajdarmataj.

Historiku i aksidenteve nis nga 1 janari 2025, në përputhje me rregulloren e re të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Sipas saj, legjislacioni nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk mund të merret në konsideratë sjellja e drejtuesve për vite të mëparshme.

“Ky sistem ka edhe karakter edukues. Çdo drejtues duhet të jetë i ndërgjegjshëm se shkaktimi i një dëmi ka pasoja financiare. Nëse gjatë vitit nuk shkakton aksident, përfiton bonus. Në të kundërt, nëse shkakton dëm, penalizohesh me malus”, thekson ajo.

Çmimi final i sigurimit të automjeteve përcaktohet nga shtatë faktorë risku: vjetërsia e mjetit, qarku i regjistrimit, fuqia motorike, mosha e drejtuesit, përdorimi i mjetit, nëse automjeti i përket një individi apo një subjekti, si dhe historiku i dëmeve. Gjatë vitit 2025, gjashtë prej këtyre faktorëve janë tashmë në zbatim, ndërsa historiku i aksidenteve do të integrohet gradualisht në formulën e përllogaritjes edhe në vitet në vijim.