Tufa peshqish të ngordhur kanë dalë në sipërfaqe të brigjeve të liqenit artificial të Tiranës.

Nga një vëzhgim i Top Channel, por edhe nga analizat e kryera nga Agjencia e Mjedisit të konstatuara nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se në trupin ujor të liqenit ka shkarkime të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara, por pavarësisht situatës kritike mjedisore raporti evidenton se Bashkia e Tiranës dhe institucionet e saj të varësisë nuk kanë marrë asnjë hap konkret për identifikimin e ndotësve, për të vlerësuar nëse ka edhe subjekte që disponojnë leje mjedisore, për të vijuar më tej me marrjen e masave për ndaljen e shkarkimit.

Mungesa e koordinimit institucional përvec korrespondencës shkresore, pritet të përkeqësojë situatën ekologjike. Në konsultimin me ekspertë dhe akademikë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës nxirret në pah se liqeni është i sëmurë dhe se është kërcënim për popullatën.

“Nga vëzhgimi arritëm në përfundimin se bëhet fjalë për një lulëzim të cianobakterit Microcystis aeruginosa… Helmet lëshohen në mjedisin ujor gjatë shpërbërjes së qelizës dhe janë shpesh me pasoja të rënda për botën e gjallë ujore të liqenit, përfshirë këtu edhe njeriun si përdorues të këtyre ujërave.. Dukuria e ngordhjes së peshqve në mënyrë masive dhe dalja e tyre në sipërfaqe për shkak të mungesës së oksigjenit e konfirmon gjendjen e degraduar dhe praninë masive të shpendëve. Përmbajtja e lartë e nutrientëve dhe e ulët e oksigjenit tregon se në liqen ka shkarkime të shumta të substancave të pasura me azot dhe fosfor”, njofton KLSH.

Në dokumentat e siguruar nga Top Channel del në pah se gjatë periudhës së auditimit 2021–2024, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit nën varësinë e Bashkisë së Tiranës ka shpenzuar 10,665,000 lekë për pastrimin e basenit të Liqenit Artificial të Tiranës.

Ky pastrim rezultoi vetëm në pastrim mekanik, pra heqje e plastikave nga sipërfaqja e liqenit, e bimësisë së tepërt, por jo i lidhur me reduktimin/ eliminimin e elementëve që shkaktojnë ndotje në ujin e liqenit, të cilët janë në nivele të larta. Shqetësuese është gjithashtu se institucionet kanë kakofoni të dhënash për bizneset që punojnë brenda Parkut të Liqenit.

Auditimi i KLSH thotë se bazuar në kontratat e lidhura me UKT operojnë 10 subjekte private. Ndërkohë sipas përgjigjeve të APR rezulton se operojnë 14 subjekte, ndërsa nga verifikimet në terren të grupit auditues rezultoi se ka më shumë se 14 subjekte, të cilat, në mungesë të rrjetit të kanalizimeve brenda territorit të liqenit artificial të Tiranës operojnë me zgjidhje individuale (si gropa septike), të cilat janë të pamonitoruara nga institucionet shtetërore.

Top Channel pyeti Bashkinë e Tiranës mbi reagimin pas auditimit, por nuk mori përgjigje.

KLSH arrin në përfundimin se Bashkia Tiranë, e cila është në rolin e administratores, nuk ka hartuar një plan menaxhimi të Liqenit Artificial të Tiranës, për ndarjen e detyrave, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të Liqenit artificial të Tiranës, për të verifikuar e ndaluar të gjithë shkarkimet e ujërave të përdorura urbane, industriale, etj., që mund të vijnë si rrjedhojë e aktivitetit brenda territorit te PMLAT ose të përzierjes së jashtëligjshme të ujërave të zeza me kanalet e ujërave të bardha/ të shiut që shkarkojnë në liqen.

Ndonëse në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, është përcaktuar për t’u monitoruar për çdo vit, Liqeni Artificial i Tiranës.

Për periudhën objekt auditimi 2021-2024, por edhe përtej kësaj periudhe (minimalisht që nga viti 2015), AKM nuk ka realizuar asnjëherë monitorime vjetore për Liqenin Artificial të Tiranës.

Mosfunksionimi i bashkëpunimit institucional ka sjell zvarritjen e problematikës dhe moszgjidhjen e situatës, ku edhe sot sic shihet nga këto pamje liqeni vazhdon të jetë i sëmurë.