Pas rritjes së çmimit të naftës në bursat e huaja, menjëherë pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, të parët që kanë reaguar në vend nga ndryshimet e kostos janë kompanitë e transportit të mallrave tregtarë në rrugë tokësore dhe detare.
Nga sot kompanitë e transportit të mallrave raportojnë se kanë nisur të aplikojnë tarifa nga 6 deri 10% më të larta se para nisjes së sulmeve. Drejtuesit e kompanive të transportit pohojnë se prej fundjavës janë furnizuar me naftë me çmim deri 10% më të lartë.
Kompanitë e transportit të mallrave në rrugë tokësore pohuan që kanë rritur tarifat nga 6 deri 7% më shumë, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës deri 25 lekë.
“Çmimi i naftës është rritur me 10%, duke ndikuar drejtpërdrejt në tarifat e transportit, të cilat në vend janë rritur nga 6 në 7%. Nafta përbën 60-70% të kostos totale të transportit, prandaj çdo rritje e saj ka efekt të madh për tarifat e transportit. Në vendin pasi ekzistojnë pabarazi, konkurrencë e pa ndershme dhe inflacion, rritja nuk është reflektuar në të njëjtën masë me rritjen e çmimit të naftës”, thotë Rodolf Xhillari nga kompania “Balkan Trans Albania”.
Sipas të dhënave të marra nga operatorët, p.sh. tarifa për eksport mallrash nga Durrësi për Milano në rrugë tokësore varion nga 1500 euro në 1700 euro dhe importi nga Milano në Durrës 2500 euro. Pas rritjes së çmimeve tarifat për eksport mallrash variojnë nga 1600 deri 1800 euro për kamion dhe për import deri 2,700 euro.
Prej fundjavës edhe çmimet e transportit detar janë rritur 10% për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat e huaja.
Artur Dedja nga kompania “Dedja Shipping” shpjegoi se nisja e sulmeve shkaktoi frikë dhe pasiguri te operatorët të cilët nxituan të siguronin furnizimet me lëndë të burimeve djegëse.
“Pra si çmimet e naftës dhe transportit u rritën për shkak të frikës nga konflikti, sepse Irani, pjesë e OPEC, po godet rafineritë e rajonit, jo sulmuesit. Qëllimi i këtij veprimi është të krijojë pasiguri dhe trazira në treg, jo vetëm të reagojë ndaj sulmeve”.
Por gjithashtu këto ditë pritet të reflektohet edhe në tregun e shitjes me pakicë në vend çmimi i rritjes së naftës në bursat e huaja.
Nga Shoqata e Hidrokarbureve u tha pas nisjes së sulmeve furnizimet me naftë u bënë me çmim 900 USD për ton nga 740 USD për ton që ishte çmimi i furnizimeve me shumicë.
“Shtrenjtimi i çmimeve në bursë pritet të reflektohet brenda 4 ditëve në tregun e pakicës, me rritje çmimi nga 15 deri 20 lekë për litër”, pohuan nga Shoqata e Hidrokarbureve.
Aktualisht, në pikat e karburanteve, çmimi i shitjes së naftës është 170-175 lekë për litër dhe pritet të arrijë 185–190 lekë për litër.
Ndërsa në bursat e huaja ditën e djeshme (3 Mars) çmimi i naftës arriti 84 -85 USD për fuçi nga 75 USD për fuçi që arriti çmimi maksimal ditën e hënë./Monitor.al
