Situata gjeopolitike në botë dhe konflikti në lindjen e mesme gjithnjë e më shumë po përkthehet në një rrezik dhe për ekonominë tonë vendase.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në turin e takimeve në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të zhvilluara në Uashington vuri theksin tek pasojat e konfliktit edhe në Shqipëri e në fokus rrezikun e luhatjes së inflacionit si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.
“Vendi ynë mbetet një ekonomi importuese e naftës, e cila përbën ende rreth 60% të konsumit tonë të energjisë, 6% të strukturës së kostos në gjithë ekonominë dhe 4% të shportës së konsumit. Prandaj, çmimet më të larta të naftës pritet të përkthehen në inflacion më të lartë të IÇK–së dhe rritje më të ngadaltë, të paktën në afatin e shkurtër. Në këto rrethana, prioriteti i politikës sonë monetare është të parandalojmë që këto presione të përkohshme nga ana e ofertës të reflektohen në pritjet për inflacionin”, deklaroi Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
