Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore kanë publikuar modele të testeve të ngjashme për provimet e Maturës Shtetërore 2023.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministrja, Evis Kushi përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në ‘Facebook’, ku shkruan se në këtë formë do t’iu vijnë në ndihmë maturantëve për t’u përgatitur më mirë për provimet.  

Modelet e testeve përfshijnë 3 lëndët e detyruara, përkatësisht gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe lëndët me zgjedhje.

Me qëllim mbështetjen e maturantëve të këtij viti gjatë fazës së përgatitjeve për Maturën Shtetërore, kemi publikuar disa modele testesh paraprake për të gjitha provimet, gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, gjuhë e huaj, si dhe lëndët me zgjedhje. Gjeni më poshtë linkun e këtyre testeve model:

http://qsha.gov.al/msh.html

Suksese të gjithë maturantëve!”, shkruan ministrja Kushi. 

Në muajin dhjetor, Ministria e Arsimit dhe Sportit publikoi datat e provimeve. Provimi i parë, ai i Gjuhës së Huaj do të zhvillohet më 1 Qershor, ndërsa i fundit më 19 Qershor. 

1 Qershor, Gjuhë e Huaj
7 qershor, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi
13 qershor, Matematikë
19 qershor, Lëndë me zgjedhje

Ndërsa, në datën 31 dhjetor do të publikohet fondi i pyetjeve për provimin e informatizuar për të gjithë ata që duan të studiojnë në programin “Mjekësi e Përgjithshme”, provim i cili do të zhvillohet në muajin gusht.