Gotat, pipat, ambalazhet dhe dhjetëra produkte të tjera plastike njëpërdorimëshe janë pjesë e konsumit të përditshëm, ndërsa menaxhimi i tyre pas përdorimit mbetet një prej sfidave mjedisore. Për sektorë si hoteleria, ku konsumi i produkteve të tilla është i vazhdueshëm, ulja e sasisë së mbetjeve kërkon që ndryshimi të nisë përpara se ato të përfundojnë në kosh.
Një përpjekje e tillë po bëhet në Durrës, ku në sektorin e hotelerisë disa produkte po zëvendësohen me alternativa të ripërdorshme. Masat e ndërmarra synojnë një reduktim të përdorimit të plastikës me rreth 1.48 tonë në vit.
“Në 6-mujorin e këtij viti ne kemi reduktuar një ton mbetje plastike. Shumëllojshmëri mbetjesh plastike, që nga pipat, gotat, produktet mbështjellëse, që në hoteleri janë të domosdoshme, janë zëvendësuar me produkte tekstili, me pipa bambuje, kallam sheqeri apo pjata druri, apo produkte të tjera që minimizojnë ndikimin në mjedis. Po shikojmë ndikim tek pjesa financiare, si edhe ndikim ne mjedis” – u shpreh Endri Çela, koordinator i projektit në një strukturë hoteliere.
Një tjetër mënyrë e trajtimit të mbetjeve po zbatohet në Lushnjë,ku bërsia e ullirit po përpunohet përmes një procesi të kontrolluar kompostimi. Materiali organik, që më parë konsiderohej mbetje, synohet të kthehet në një produkt që mund të përdoret sërish në bujqësi.
“Investimet në përpunim kanë bërë të mundur që kjo mbetje të kthehet në një produkt të tregtueshëm, duke krijuar vlerë dhe për fabrikat e vajit që e prodhojnë atë. Në ciklin e parë të pilotit kemi përfshirë rreth 500 ton materiale. Përmes një procesi të kontrolluar kompostimi, këto materiale po transformohen në një produkt organik që synojnë ta rikthejnë në bujqësi”- tha sipërmarrësi Endi Ylli.
Të dyja nismat bashkëfinancohen nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania dhe zbatohen nga GIZ, në kuadër të projekteve që lidhen me ekonominë qarkulluese.
“BE e ka mbështetur Shqipërinë me asistencë teknike, me grante për biznesin, me investime në infrastrukturë, dhe me afrimin e integrimit do të ketë shumë më tepër mundësi financimi”- tha Ervin Pacara, menaxher projektesh për mjedisin dhe klimën ne Delegacionin e BE-së në Shqipëri.
Pjesë e kësaj qasjeje është edhe përfshirja e sektorit privat dhe bashkive në modele që synojnë një përdorim më efikas të burimeve dhe menaxhim më të mirë të mbetjeve.
“GIZ-it i është dhënë detyra nga Bashkimi Evropian dhe qeveria gjermane për të zbatuar këtë projekt që lidhet me ekonominë qarkulluese dhe qytetet e jetueshme. Jemi shumë të kënaqur që mbështesim si sektorin privat ashtu edhe bashkitë e Shqipërisë. Në veçanti, duam të theksojmë potencialin e madh për bashkëpunim mes tyre” – tha përfaqësuesi i GIZ në Shqipëri, Marcel Thomkins.
Bashkimi Evropian ka investuar mbi 280 milionë euro në Shqipëri në sektorët e mjedisit, ujit dhe klimës. Financimet kanë përfshirë infrastrukturën, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet mjedisore të BE-së.
