Në Shqipëri janë evidentuar 1308 vepra penale në fushën e krimit kibernetik gjatë vitit 2025, nga të cilat 859 janë zbuluar. Shifrat u bënë publike sot nga zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, gjatë një diskutimi të organizuar në Kuvend për dhunën ndaj grave në hapësirën dixhitale.

Sipas Rusetit, brenda një viti është dyfishuar zbulueshmëria e këtyre krimeve, ndërsa mbi 2300 punonjës policie janë trajnuar për mënyrën se si duhet të mbledhin dhe dokumentojnë provat për t’ia referuar më pas çështjet prokurorisë.

“Në vetëm një vit, si produkt i punës së bërë në rritjen e kapaciteteve tona teknike, zbulueshmëria e këtyre krimeve është dyfishuar”, tha Ruseti.

Zëvendësministrja foli edhe për dhunën dhe bullizmin mes të miturve, si në shkolla, ashtu edhe në hapësirën dixhitale. Ajo bëri të ditur se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me projektin SCPA të Ambasadës Suedeze, po zhvillon aktivitete ndërgjegjësuese në shkollat e vendit, ku anë përfshirë oficerët e sigurisë në shkolla, psikologët, punonjësit socialë, mësuesit, nxënësit dhe prindërit.

Synimi është që të miturit të kuptojnë se ushtrimi i dhunës apo bullizmi ndaj bashkëmoshatarëve mund të ketë edhe pasoja penale.

“Jemi duke punuar ngushtësisht me oficerët e sigurisë në shkolla, me punonjësit socialë, me psikologët, me mësuesit, me drejtuesit dhe mbi të gjitha me vetë të rinjtë dhe prindërit, në lidhje me ndërgjegjësimin dhe efektet, qoftë edhe ato penale, që kanë të miturit kur ushtrojnë dhunë apo bullizojnë një të mitur tjetër, një bashkëmoshatarin e tyre, duke menduar që ky kufiri moshor i veprave penale që ata mund të zhvillojnë nuk i prek ata, por duke i ndërgjegjësuar që kjo ka pasoja direkt në jetën e tyre”, tha ajo.

Në të njëjtin aktivitet, ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Strom, kërkoi forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së grave nga dhuna në internet.

“Dhuna e lehtësuar nga teknologjia nuk është thjesht një fenomen online. Ajo ka pasojat e veta në mirëqenien dhe pjesëmarrjen në shoqëri”, u shpreh ambasadori.

Strom përshëndeti miratimin e ligjit të ri për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, duke theksuar nevojën për zbatimin e tij në praktikë. Ai u ndal edhe te sulmet ndaj grave në politikë, të cilat rrezikojnë të kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.

“Suedia mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me Shqipërinë për të mbështetur gratë dhe vajzat dhe për të luftuar dhunën ndaj tyre, online dhe offline”, përfundoi ambasadori.