Muaji mars konfirmon vijimin e rritjes së turizmit në Shqipëri, edhe në një klimë të ndikuar nga zhvillimet gjeopolitike. Tensionet dhe pasiguritë në Lindjen e Mesme duket se po orientojnë turistët drejt destinacioneve alternative në Mesdhe, ku edhe Shqipëria po fiton terren.

Në mars hynë mbi 609 mijë shtetas të huaj, 10.8% më shumë se një vit më parë. Një tregues që i dha pak hov turizmit në këto muaj të parë të vitit, ku shifrat tregonin një zbehje të të huajve në vend.

Fluksi mbetet i dominuar nga vizitorët europianë, me Evropën Jugore që zë 80% të hyrjeve. Turistët nga Amerika, Afrika dhe Azia Jugore kanë shtuar ardhjet në vendin tonë. Pas nuk mbeten as ata nga Lindja e Mesme, të cilët në këtë tremujor jo vetëm që nuk kanë ulur prurjet në vendin tonë, por i kanë rritur lehtë.

Ndërkohë, 97% e të huajve kanë hyrë për qëllime personale, kryesisht turizëm dhe vizita, ndërsa hyrjet për biznes e motive profesionale kanë shënuar rritje të lehtë. Tregues që sugjerojnë se Shqipëria po konsolidohet si alternativë turistike në një rajon ku lëvizjet po ndikohen edhe nga zhvillimet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, më shumë shqiptarë zgjodhën të udhëtojnë jashtë vendit. Në mars dolën mbi 677 mijë shtetas shqiptarë, 9% më shumë se vitin e kaluar, tregues i shtimit të lëvizshmërisë rajonale dhe udhëtimeve të shkurtra sipas sezonit.

E ndërsa ndodhemi vetëm pak muaj përpara hapjes së sezonit turistik, me mbi 1.28 milion hyrje gjithsej në mars, trendi sinjalizon jo vetëm një sezon të hershëm turistik, por edhe një prirje të ndikuar nga zhvillimet gjeopolitike në ridrejtimin e flukseve turistike drejt tregjeve si Shqipëria.