Ministria e Arsimit ka vendosur të rrisë pagesën për mësuesit dhe bashkëpunëtorët që angazhohen në programet pas orarit mësimor. Sipas njoftimit të bërë nga Mirela Kumbaro, shpërblimi për këtë angazhim do të dyfishohet, duke kaluar nga 500 në 1000 lekë për orë pune.

Kjo nismë lidhet me programin “pas shkolle”, i cili synon që nxënësit të qëndrojnë në ambientet e shkollës edhe pas përfundimit të orëve mësimore, për të kryer detyrat ose për t’u përfshirë në aktivitete të ndryshme edukative dhe krijuese. Përveç stafit aktual të arsimit, thirrja është zgjeruar edhe për mësues në pension, si dhe për profesionistë nga fusha të ndryshme si arti, muzika apo zanatet.

Vendimi i Këshilli i Ministrave synon të nxisë përfshirjen e komunitetit në edukimin e fëmijëve dhe të garantojë një shpërblim më dinjitoz për kontributin e tyre në këto aktivitete jashtëshkollore, duke u dhënë shkollave edhe fondet e nevojshme për realizimin e tyre.