Autoritetet amerikane kanë urdhëruar tërheqjen nga tregu të mijëra lodrave të njohura si “squishy”, për shkak të rrezikut serioz që mund të paraqesin për shëndetin dhe jetën e fëmijëve.
Sipas një njoftimi të Komisionit Amerikan për Sigurinë e Produkteve të Konsumatorit (CPSC), bëhet fjalë për lodrat “Squeezy Dumplings”, të prodhuara nga GIHNJSI, dhe “Rainbow Mystery Squishy Buns”, të tregtuara nga OKK Trading.
Brenda këtyre lodrave ndodhen rruaza uji, të cilat mund të bëhen veçanërisht të rrezikshme nëse gëlltiten. Pas hyrjes në organizëm, ato mund të zmadhohen ndjeshëm, duke shkaktuar bllokim të zorrëve, mbytje, dëmtime të rënda shëndetësore dhe, në rastet më ekstreme, humbjen e jetës.
Vendimi prek rreth 8 mijë lodra “Squeezy Dumplings”, të shitura përmes platformës Amazon gjatë muajve maj dhe qershor. Produktet kanë formë të rrumbullakët, material të butë e xhelatinoz dhe janë të mbushura me rruaza shumëngjyrëshe dhe xixa. Ato dallohen gjithashtu nga fytyrat vizatimore dhe paketimi që imiton një enë tradicionale bambuje për gatimin me avull.
Në ambalazhin e produkteve gjenden mbishkrimet “SQUEEZY DUMPLINGS” dhe “SQUEEZE ME”, që në shqip do të thotë “Më shtrëngo”.
Nga tregu po hiqen gjithashtu më shumë se 7,200 lodra të modelit “Rainbow Mystery Squishy Bun”. Ato ishin shitur nga shitës të ndryshëm në të gjithë Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës maj–gusht.
Edhe këto produkte kanë një pamje të ngjashme, me material të butë, xixa, fytyra të vizatuara dhe paketim në formën e një ene gatimi me avull. Në etiketën e tyre shfaqen mbishkrimet “Rainbow MYSTERY” dhe “SUGAR EDITION”.
Autoritetet u kanë kërkuar prindërve dhe kujdestarëve që t’ua largojnë menjëherë fëmijëve produktet e prekura dhe të ndjekin udhëzimet e kompanive për kthimin ose asgjësimin e tyre.
Rruazat e ujit mund të jenë të vështira për t’u dalluar pas gëlltitjes dhe jo gjithmonë shfaqen në radiografitë standarde, çka mund ta vonojë diagnostikimin. Për këtë arsye, çdo dyshim se një fëmijë ka gëlltitur përmbajtjen e lodrave kërkon vlerësim të menjëhershëm mjekësor.
