Deri në mesditë, vranësirat e dendura dhe kthjellimet afatshkurtra do të jenë mbizotëruese në pothuajse gjithë vendin tonë, përjashtuar zonat veriore dhe veriperëndimore ku do të ketë reshje të izoluara shiu e dëbore në lartësi mbi 1000 metra. Parashikohet që pjesa e dytë e ditës të sjellë zhvillim të vranësirave duke gjeneruar shira në të gjithë territorin e vendit ku nuk do të mungojnë edhe rrebeshet në zonat veriperëndimore dhe zona të izoluara në qendër të territorit.
Në zonat e thella malore do të ketë gjithashtu reshje të pakta dëbore, kryesisht në juglindje të Shqipërisë. Temperaturat e ajrit do të rriten ndjeshëm në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 2°C deri në 19°C. Era do të fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi mbi 60 km/h nga drejtimi kryesisht jugor duke sjellë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim mbi 4 ballë.
Kosova
Deri në mesditë Republika e Kosovës paraqitet nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm, duke bërë që të ketë vranësira të dendura dhe reshje të pakta e të izoluara dëbore, por pjesa e dytë e ditës do të sjellë grumbullim të mëtejshëm të vranësirave duke gjeneruar reshje dëbore në të gjithë territorin e Kosovës por në sasi të pakta.
Parashikohet përmirësim i theksuar i motit gjatë orëve të vona të mbrëmjes duke i larguar gradualisht reshjet nga i gjithë territori i Kosovës. Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në mëngjes por mesdita sjell rënie të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 1°C deri në 11°C. Era do të fryjë mesatare përgjatë gjithë ditës me shpejtësi mbi 60 km/h nga drejtimi kryesisht jugor dhe jugperëndimor
Maqedonia e Veriut
Republika e Maqedonisë së Veriut do të dominohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike duke bërë që vranësirat të jenë prezente në të gjithë territorin, ku herë pas here pritet zhvillim i tyre duke gjeneruar reshje shiu dhe dëbore në të gjithë Maqedoninë e Veriut. Por më të dukshme reshjet do të paraqiten në zonat perëndimore dhe veriperëndimore.
Po ashtu, orët e pasdites do të vijojnë nën ndikimin e vranësirave dhe reshjeve të dëborës në pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut, parashikohet ndërprerje e tyre vetëm në orët e vona të natës. Për sa i përket temperaturat e ajrit do të rriten ndjeshëm në mëngjes por mesdita sjell rënie të lehtë te tyre duke luhatur vlerat ditore nga 1°C deri në 13°C. Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 60 km/h nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor.
Europa
Si pasojë e masave të ftohta polare që kanë përfshirë brigjet veri-veriperëndim të kontinentit do të diktojë kushtet e paqëndrueshme atmosferike në ishujt Britanikë, Europën Qendrore si edhe pjesërisht gadishullin e Ballkanit, duke sjellë reshje shiu e dëbore si edhe erëra të ftohta verilindore.
Po ashtu me reshje dëbore si edhe temperatura të ulëta do të vijojë moti në gadishullin Skandinav si edhe Europën Lindore. Ndërsa motit i kthjellët dhe vranësirat e shpeshta do të dominojnë vetëm në gadishullin Iberik si edhe pjesërisht Europën Juglindore.