Mali i Zi po përgatitet për një ndryshim të ri në sistemin e pagave, i cili parashikohet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027. Kryeministri Milojko Spajiç ka prezantuar reformën e quajtur “Euro Model”, përmes së cilës synohet një rritje e ndjeshme e të ardhurave të punonjësve.
Sipas planit të prezantuar nga kreu i qeverisë malazeze, niveli i pagës minimale do të përcaktohet në varësi të arsimimit. Punonjësit me arsim fillor ose më të ulët parashikohet të marrin të paktën 1 mijë euro neto në muaj, ndërsa për ata me arsim të mesëm kufiri do të jetë 1,250 euro. Për të punësuarit me arsim të lartë, paga minimale e deklaruar është 1,400 euro neto.
Ndryshimet, sipas Spajiç, nuk do të prekin vetëm personat që paguhen me minimumin. Qeveria synon që nga reforma të përfitojnë mbi 250 mijë të punësuar, përfshirë edhe ata që aktualisht kanë paga më të larta.
Si shembull, kryeministri tha se një punonjës që sot merr 1,600 euro neto mund të arrijë në rreth 1,870 euro, pa rritur koston totale që ka punëdhënësi për të.
Një nga shtyllat e “Euro Model” do të jetë reduktimi i barrës fiskale mbi pagat. Sipas planit të qeverisë, efekti financiar i kësaj mase synohet të kompensohet përmes rritjes së konsumit dhe punësimit, formalizimit të ekonomisë dhe masave të tjera fiskale.
Ndryshime janë paralajmëruar edhe për pensionistët. Spajiç ka deklaruar se duke nisur nga viti 2027 pensionet do të indeksohen katër herë gjatë vitit. Objektivi i shpallur është që pensioni mesatar të kalojë nivelin e 600 eurove, ndërsa ai minimal të jetë mbi 500 euro.
Kryeministri ka njoftuar gjithashtu një pagesë shtesë prej 100 eurosh për çdo pensionist në dhjetor të këtij viti.
Nëse objektivat e qeverisë realizohen sipas parashikimeve të prezantuara, paga mesatare neto në Mal të Zi do të kalojë nga niveli aktual prej rreth 1 mijë eurosh në mbi 1,400 euro.
