Prej më shumë se dy javësh vendi ynë është nën efektin një vale të nxehti shoqëruar me temperatura shumë të larta. Por kjo valë pritet të tërhiqet nga Shqipëria nga e mërkura e kësaj jave, pasi nesër, pritet të shënohet rekordi i temperaturave.
Meteorologët thonë se mundësitë për të tejkaluar maksimumin e arritur më 21 Korrik në Elbasan prej 43.2 gradësh janë të larta.
Nesër është edhe kulmi i tretë i valës. Parashikohet që në zona të izoluara në qarqet Elbasan, Berat të regjistrohet temperatura 43 gradë.
Ndërkohë që të mërkurën moti do fillojë të marrë tjetër kthesë pasi do ketë rënie drastike të temperaturave me 6-7 gradë dhe prezencë të rrebesheve të izoluara kryesisht në zona veriore.
Dita e mërkurë do të jetë me maksimalet jo më shumë se 36 gradë Celsius, pra kemi një tërheqje dhe freskimi do të jetë i menjëhershëm.
Por ulja e temperaturave do shkaktojë probleme për erën e cila do rrezikojë përhapjen e flakëve në vatrat e aktivizuara në Fier dhe Vlorë.
Parashikoj që të martën, të mërkurën dhe të paktën deri në ditën e premte të fryjë një erë mesatare dhe në momente të veçanta edhe e fortë duke sjellë probleme në zonat në të cilat ka vatra zjarri.