Çmimet e karburanteve në Shqipëri mund të rriten më tej. Kjo, jo nga zhvillimet në Lindjen e Mesme që kanë shtrenjtuar naftën në bursa, por nga vetë qeveria. Në duzinën e taksave që rëndojnë në çdo litër naftë e benzinë do të shtohen edhe dy tarifa të tjera… gjurmimi dhe rezerva kombëtare e sigurisë.
“Vendosja e këtyre tarifave duhet parë në kontekstin e kostos që ato do të krijojnë për operatorët dhe, në fund, për konsumatorin. Çdo detyrim i ri mbi zinxhirin e furnizimit ka potencialin të reflektohet në çmimin e produktit, veçanërisht në një treg ku karburantet tashmë kanë një peshë të konsiderueshme në shpenzimet e familjeve dhe bizneseve. Për këtë arsye, mënyra se si do të strukturohet dhe zbatohet ky mekanizëm do të jetë vendimtare”, deklaroi Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Shoqata e Hidrokarbureve paralajmëron se krijimi i rezervës së sigurisë me naftë bruto do të kërkojë investime shtesë për krijimin e kapaciteteve ruajtëse e përpunuese me qëllim hedhjen e naftës në tregun e pakicës. Nëse kostoja e krijimit dhe menaxhimit të rezervës së sigurisë, nuk do të përballohet totalisht nga shteti, Shoqata e Hidrokarbureve paralajmëron se kjo kosto shtesë do të transferohet te çmimi final.
“Rezerva strategjike është një mekanizëm që mund të ketë një funksion të rëndësishëm në rast të ndërprerjeve të furnizimit apo krizave të papritura. Por mënyra se si financohet është po aq e rëndësishme sa vetë krijimi i saj. Nëse barra financiare i lihet operatorëve ekonomikë, duhet parë me shumë kujdes se si kjo kosto do të përkthehet në treg dhe nëse do të krijojë një presion të ri mbi çmimin që paguan konsumatori”, u shpreh Gjokutaj.
Projektligji i miratuar parashikon disa burime financimi për krijimin dhe mirëmbajtjen e sigurisë, përfshirë si kryesore tarifën e operatorëve ekonomikë. As krijimi i rezervës të sigurisë se karburanteve e menaxhuar nga një operator shtetëror nuk pritet të ketë efekt te ulja e çmimit të naftës për tregun e pakicës, por madje i shton karburanteve një tarifë të re.
“Në kushtet aktuale, çdo ndërhyrje në strukturën e çmimit duhet të shoqërohet me transparencë të plotë se sa është kostoja reale dhe kush do ta përballojë atë. Një ulje e akcizës e lidhur me një prag të caktuar mund të japë një lehtësim vetëm nëse çmimi arrin atë nivel, ndërsa deri atëherë konsumatori mbetet i ekspozuar ndaj luhatjeve të tregut. Pra, sfida është që masat të mos jenë vetëm reaguese, por të krijojnë një mekanizëm më të qëndrueshëm për përballimin e goditjeve të çmimeve”, tha eksperti Gjokutaj.
Me Bordin e Transparencës të rikthyer në fuqi dhe çmimet e karburanteve që po shkojnë drejt niveleve rekord, qeveria nuk ka ndër mend të ndërhyjë në tjetër mënyrë përveç se te akciza. Kjo e fundit do të ulet me 20 për qind vetëm kur nafta të kapërcejë nivelin e 220 lekëve.
