Kategoritë në nevojë – pensionistë kryefamiljarë, persona me status të veçantë dhe përfitues të ndihmës ekonomike – kanë tashmë një mundësi të re për të shlyer më lehtë detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike.
OSHEE ka miratuar një skemë të veçantë që synon të lehtësojë barrën financiare të qytetarëve, por edhe të forcojë arkëtimet e kompanisë duke reduktuar borxhet e akumuluara ndër vite. Kjo nismë, e cila hyri në fuqi në korrik, u ofron klientëve mundësinë të shlyejnë detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2023 me këste mujore, të përcaktuara sipas kategorisë dhe gjendjes financiare të secilit. Pagesat minimale nisin nga vetëm 1,200 lekë në muaj.
Sipas të dhënave, gjatë vitit të fundit mbi 1,000 subjekte kanë aplikuar për këtë skemë, duke përfituar ulje të kamatëvonesave nga 50% deri në 100%, kur detyrimi është shlyer me një këst të vetëm.
Kush përfiton?
Skema u hapet të gjitha kategorive të abonentëve, familjarë e jofamiljarë, përfshirë edhe bizneset e vogla. Për klientët vulnerabël janë përcaktuar kushte edhe më lehtësuese:
- Pensionistët, përfituesit e ndihmës ekonomike dhe individët me status të veçantë: ulje deri në 70% të kamatëvonesave.
- Klientët jofamiljarë (buxhetorë dhe jobuxhetorë): reduktim deri në 50%.
- Biznesi i vogël: falje të plotë (100%) të kamatëvonesës, nëse shlyen menjëherë borxhin.
Plani standard parashikon mundësinë e shlyerjes së borxheve deri në 240 këste mujore, duke i dhënë qytetarëve më shumë kohë për të mbyllur detyrimet pa u rënduar financiarisht.
Megjithatë, një kriter i rëndësishëm është vendosur: për të hyrë në këtë marrëveshje, abonenti duhet të ketë shlyer më parë detyrimet e krijuara në vitin 2024 dhe 2025. Vetëm borxhet deri në fund të vitit 2023 mund të përfshihen në këtë skemë.
Procedura dhe dokumentacioni
Aplikimi është i thjeshtë:
- Familjarët paraqesin vetëm kartën e identitetit.
- Bizneset e vogla dorëzojnë NIPT-in, ekstraktin e regjistrimit dhe vërtetimin e përgjegjësisë tatimore.
- Personat me status të mbrojtur (invalidë, veteranë, familje me ndihmë sociale) duhet të sjellin dokumentin përkatës që vërteton kategorinë e tyre.
Qëllimi i nismës
Përmes kësaj skeme, OSHEE synon një marrëveshje të drejtë dhe të dobishme për të dyja palët: qytetarët përfitojnë lehtësira për të shlyer borxhet pa penalitete të rënda, ndërsa kompania garanton arkëtime më të rregullta për të siguruar stabilitetin financiar dhe vazhdimësinë e investimeve në rrjet.
“Ky është një model bashkëpunimi që i jep qytetarëve një shans real për të mbyllur detyrimet e vjetra dhe për të shmangur ndërprerjet e energjisë, duke forcuar njëkohësisht marrëdhënien e tyre me shërbimin publik”, – thekson OSHEE.