Reduktimi i flotës së transportit publik në Tiranë ka sjellë vonesa dhe pritje më të gjata në stacione.
Shoqata e Transportit ka vendosur reduktimin e numrit të urbanëve në qarkullim me 20 deri në 30%.
Vendimi është marrë për shkak të kostove të larta të karburantit.
Nafta në kryeqytet vijon të tregtohet me 219 lekë për litër, ndërsa kompanitë e transportit kërkojnë prej vitesh zgjidhje për kompensimin e karburantit.
Reduktimi i mjeteve është ndier nga qytetarët që përdorin çdo ditë transportin urban. Pritjet në stacione janë zgjatur, ndërsa disa pasagjerë kanë hasur vështirësi për të mbërritur në destinacionet e tyre.
Megjithatë, situata nuk ka sjellë një fluks të madh në stacione, pasi viti i ri shkollor ende nuk ka nisur. Edhe pse institucionet kanë rifilluar aktivitetin më 1 shtator, mungesa e nxënësve në transport ka shmangur një ngarkesë më të madhe.
Çmimi prej 219 lekësh për litër vijon prej disa ditësh, ndërsa tregu i karburanteve nuk ka pasur ndryshime të dukshme. Më herët, çmimi monitorohej nga Bordi i Transparencës, i cili përcaktonte çmimin sipas lëvizjeve në tregjet ndërkombëtare.
