Në oborrin e një shkolle 9-vjeçare në Shkodër, një vajzë 11-vjeçare qëndron mënjanë, me sytë përdhe. Ajo ka filluar ta ketë frikë shkollën, jo librat, por fjalët. Fjalët që i vrasin përditë vetëbesimin.

Babai i saj, i njohur për dhunë ndaj nënës, e përndjek edhe pas ndarjes. Në çdo dalje nga shkolla, ai e pret, e ofendon dhe e poshtëron para shokëve të klasës. Fëmijët imitojnë gjuhën e tij, ia vënë epitetet dhe fjalët fyese që përdor ai, e përjashtojnë nga loja. Vajza, dikur nxënëse e shkëlqyer, sot rri e heshtur dhe ka përmendur disa herë vetëvrasjen.

Në një tjetër lagje të qytetit, një djalë 13-vjeçar përballet çdo ditë me talljet e bashkëmoshatarëve për shkak të babait me probleme mendore.

“E quajnë me emrin e të atit, e ngacmojnë, e kanë qëlluar edhe fizikisht,” tregon një punonjëse sociale. “Ai ka braktisur shkollën për të ndihmuar nënën që mban e vetme katër fëmijët,” shpjegoi ajo.

Ndërsa në një shkollë private, një vajzë 12-vjeçare nga komuniteti rom, e regjistruar me sakrifica nga gjyshja, u përjashtua nga grupi për shkak të paragjykimeve, pasi u përfol se “kishte parazitë në flokë”.

E përbuzur dhe e përjashtuar, ajo nisi të reagonte vetë si bullizuese, duke u përpjekur të mbrohej përmes agresivitetit.

“Gjyshja e justifikonte, sepse vajza kishte thënë disa herë se do hidhej nga kati i tretë i shkollës,” rrëfen një prind që i dërgon fëmijët në të njëjtën shkollë.

Historitë e trishta të këtyre fëmijë nuk jane raste të izoluara. Sipas psikologëve dhe punonjësve social në qytetin verior, një në pesë fëmijë në Shkodër përballen me bullizëm në mjediset e shkollës.

“Bullizmi nuk është më rastësor; është fenomen që përsëritet dhe ndryshon formë,” shprehet psikologja Suela Domnori, e cila punon pranë Drejtorisë Vendore të Arsimit Shkodër.

“Sot nuk është vetëm përqeshje, por përjashtim social, imitim i modeleve të rreme dhe presion i heshtur,” shtoi ajo.

Megjithatë, një përgjigje zyrtare për BIRN , Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, deklaroi se gjatë viteve të fundit “nuk janë evidentuar raste të bullizmit të raportuara”.

Epidemia e buzllizmit online

Bullizmi në shkollë është sjellja e qëllimshme dhe e përsëritur e një nxënësi apo grupi nxënësish për të lënduar, poshtëruar ose përjashtuar një bashkëmoshatar fizikisht, verbalish apo emocionalisht.

Shpesh herë bullizmi shprehet përmes ofendimeve, talljeve, përhapjes së thashethemeve, publikimit të fotove apo videove poshtëruese, si dhe përjashtimit qëllimshëm nga grupet online.

Bullzimi online në shumë raste ka pasoja më të rënda, pasi përhapet shpejt, arrin një audiencë të gjerë dhe mund të ndodhë në çdo kohë, edhe jashtë mjedisit shkollor.

“Sot fëmijët thonë: ‘më mirë të më dhunojnë sesa të bëhem meme’,” tha psikologja Suela Domnori.

“Frika më e madhe është poshtërimi publik online, sepse në internet turpi nuk fshihet dhe qarkullon pa kufij”, shtoi ajo.

Edhe psikologu Altin Nika, që punon çdo ditë me nxënës të cikleve 9-vjeçare dhe të mesme, thotë se bullizmi është bërë pjesë e përditshmërisë, sidomos në rrjetet sociale.

“Forma më e përhapur është ajo që ndodh në rrjet, ku një koment ose një foto mund të shkatërrojë reputacionin e një adoleshenti dhe ky denigrim nuk mbetet brenda shkollës por ka audiencë të 100-fishuar,” tha ai.

Sipas Nikës, shkollat janë shndërruar në hapësira të konkurrencës shoqërore, jo të dijes.

“Fëmijët nuk maten më për dije, por për status,” shpjegoi ai, ndërsa shtoi se të rinjtë janë në garë se kush ka telefonin më të shtrenjtë, kush vishet më mirë, kush ka më shumë ndjekës në Instagram, ndërsa theksoi se kjo garë e heshtur ushqen bullizmin dhe krijon hierarki të rreme që dëmtojnë karakterin në formim.

Nika paralajmëron për pasojat afatgjata të këtij realiteti.

“Bullizmi ndikon në personalitetin e fëmijës, sepse në ato vite formohet karakteri,” tha ai, ndërsa shtoi se si pasojë shkakton “izolim, tërheqje dhe ndjesi inferioriteti.”

“Studimet tregojnë se shumë nga personat me prirje kriminale ose sjellje agresive kanë përjetuar shtypje apo trauma në fëmijëri , qoftë në familje, qoftë në shkollë,” theksoi Nika.

Siguria në shkolla

Megjithëse deklaroi se nuk ka pasur raste të raportuar të bullizmit, Policia e Shkodrës i tha BIRN se punonjësit e policimit në komunitet janë çdo ditë në shkolla dhe në mjediset përreth tyre, duke bashkëpunuar me drejtorët, mësuesit dhe prindërit për parandalimin e dhunës.

Në kuadër të programit “Siguria e të rinjve”, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, oficerët zhvillojnë orë ndërgjegjësuese për nxënësit mbi dhunën në shkolla dhe trafikimin e të miturve, bullizmin dhe format e tij kibernetike, ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin.

“Qëllimi i këtij programi është ndërgjegjësimi i të rinjve për rreziqet potenciale që mund të hasin dhe aftësimi i tyre për të marrë vendime të sigurta për të ardhmen,” thuhet në një komunikim zyrtar.

“Bashkëpunimi midis shkollave, policisë dhe komunitetit është mënyra më efektive për të parandaluar bullizmin dhe dhunën në mjediset arsimore”, shtoi policia.

Pjesë e këtij bashkëpunimi janë edhe oficerët e sigurisë në shkolla , të cilët luajnë një rol kyç në raportimin e hershëm të rasteve të dhunës dhe konfliktit mes nxënësve.

Ata shërbejnë si urë lidhëse mes nxënësve, mësuesve dhe institucioneve të rendit, duke mbajtur kontakte të përditshme me psikologët dhe drejtuesit e shkollave.

Aktualisht, në qarkun e Shkodrës janë të angazhuar 32 oficerë sigurie që monitorojnë rregullisht ambientet e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, parandalojnë konfliktet dhe raportojnë çdo situatë të dyshimtë te strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit.

Sipas psikologes Suela Domnori bashkëpunimi i oficerëve të sigurisë me strukturat arsimore ka qenë thelbësor në menaxhimin e situatave të tensionuara dhe në identifikimin e hershëm të rasteve të bullizmit.

Ajo fajëson mungesën e psikologëve të përhershëm në çdo shkollë është një nga arsyet pse shumë raste nuk trajtohen në kohë.

“Në disa shkolla një psikolog mbulon disa institucione,” tha Domnori. “Ndërhyrja bëhet shpesh kur dëmi është bërë”, shpjegoi ajo.

Sipas ekspertëve fëmijët mësojnë nga mënyra si të rriturit komunikojnë, si falin, si reagojnë ndaj padrejtësisë. Kur në familje ka dhunë, ajo bartet në klasë. Kur në shkollë mungon dialogu, ajo shpërthen në rrjete sociale.

Avokatja Edlira Bylo, e specializuar në çështjet sociale, shton se bullizmi shpesh lidhet me mjedise të pasigurta familjare.

“Shkolla është pasqyra ku reflektohen problemet që fillojnë në shtëpi,” tha ajo. “Fëmijët që përjetojnë dhunë, varfëri apo mungesë vëmendjeje, e shfaqin më pas atë në mënyrën si sillen me të tjerët,” shtoi Bylo.

Sipas Bylos, mungesa e ndërhyrjes së hershme dhe nganjëherë hezitimi i prindërve për të folur lejon që fenomeni të zgjerohet. “Bullizmi nuk zhduket me ndëshkim, por me njohje dhe edukim.”

Psikologët theksojnë gjithashtu se natyra e bullistit dhe e viktimës shpesh lidhet me faktorë të brendshëm emocionalë. Bullisti është zakonisht produkt i dhunës, mungesës së dashurisë ose vëmendjes në familje, ndërsa viktima priret të mbyllet në vetvete, të zhvillojë pasiguri dhe frikë nga ndërveprimi social.

“Bullisti kërkon kontroll për të kompensuar mungesën e sigurisë personale, ndërsa viktima kërkon arratisje,” shpjegon avokatja Bylo, ndërsa thekson se bullizmi nuk është problem i vetëm një institucioni, por është pasojë e mungesës së lidhjes mes familjes, shkollës dhe shoqërisë.

Psikologu Altin Nika është i njëmendje, ndërsa thekson se zgjidhja qëndron te kontrolli i shëndetshëm dhe komunikimi i vazhdueshëm:

“Nga përvoja, kur ndodhin ngjarje të rënda, janë prindërit ata që marrin vesh të fundit, në pika shpesh të pakthyeshme,” tha ai. “Duhet të pyeten fëmijët, çdo ditë,” shtoi Nika, ndërsa theksoi se ata duhet të ndihen të dëgjuar. /BIRN/