Ngrohja globale pritet të tejkalojë objektivin prej 1.5 gradësh Celsius deri në fund të shekullit, sipas raportit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP).

Raporti paralajmëron se temperatura mesatare globale mund të rritet me 1.7 deri në 1.8 gradë Celsius krahasuar me periudhën paraindustriale, ndërsa politikat dhe angazhimet aktuale të vendeve nuk janë të mjaftueshme për të frenuar ndryshimet klimatike. (Foto AP Photo/Natacha Pisarenko)

Pavarësisht zgjerimit të shpejtë të energjisë së rinovueshme dhe masave për uljen e emetimeve në disa vende, ekspertët theksojnë se nevojiten shkurtime shumë më të mëdha dhe urgjente të gazrave serrë.

Sipas raportit, emetimet globale duhet të ulen me 18% deri në vitin 2030, me 45% deri në vitin 2035 dhe me 69% deri në vitin 2040, në raport me nivelet e vitit 2025, për të kufizuar ngrohjen në 1.7–1.8 gradë Celsius.

Megjithatë, planet aktuale të vendeve parashikojnë ulje shumë më të vogla: rreth 5–8% deri në vitin 2030 dhe 11–15% deri në vitin 2035.

Sipas raportit, nëse vazhdojnë politikat aktuale pa angazhime të reja, temperatura globale mund të rritet me 2.8 gradë Celsius deri në fund të shekullit. Nëse vendet zbatojnë plotësisht angazhimet klimatike që kanë marrë përsipër, rritja mund të kufizohet në rreth 2.6 gradë Celsius.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje që përpjekjet për të frenuar emetimet të mos ndalen, ndërsa vendet përgatiten për konferencën e ardhshme të OKB-së për klimën, COP31, që do të mbahet në Turqi nga 9 deri më 20 nëntor.

“Pasojat janë tashmë katastrofike”, paralajmëroi Guterres, duke shtuar se kjo nuk duhet të shërbejë si arsye për të hequr dorë nga veprimi klimatik.