Nga 1 janari 2026, paga minimale në Shqipëri do të rritet nga 40 mijë50 mijë lekë, ose rreth 500 euro, duke përmbushur një nga premtimet kryesore elektorale të qeverisë socialiste në zgjedhjet e 11 majit.

Qeveria ka garantuar se për 18 muajt e parë do të mbulojë vetë kostot shtesë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që vijnë si pasojë e rritjes së pagës minimale, në mënyrë që as punëdhënësit e as punëmarrësit të mos rëndohen financiarisht. Pas kësaj periudhe, përgjegjësia i kalon plotësisht bizneseve, çka ka ngjallur shqetësim për rritje të kostove të operimit dhe rrezikun e shtimit të informalitetit.

“Rritja e pagës minimale është një hap i rëndësishëm social që prek direkt shtresat më të brishta të tregut të punës, por duhet të shoqërohet me politika mbështetëse për biznesin e vogël”, u shpreh Erion Muça, ekspert i tregut të punës.

Nga ana tjetër, Zef Preçi, analist i ekonomisë, e cilëson këtë masë si më shumë një veprim propagandistik sesa një politikë zhvillimi: “Pa analiza të plota mbi produktivitetin dhe kostot e biznesit, rritja e pagës minimale mund të sjellë pasoja negative, përfshirë mbylljen e vendeve të punës dhe rritjen e punësimit informal”.

Edhe sipërmarrësit shprehin shqetësime. Florian Zekja, pronar në sektorin e manifakturës, theksoi se pas mbarimit të periudhës së subvencionimit, kompanitë do të përballen me presion të lartë financiar dhe do të detyrohen të rishikojnë strategjitë e tyre të punësimit dhe investimit.

Aktualisht, Shqipëria mbetet ndër vendet me pagën minimale më të ulët në rajon, duke lënë pas vetëm Kosovën. Në krye të renditjes qëndron Mali i Zi me 670 euro, i ndjekur nga Serbia me 618 euro, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina pozicionohen në mes.