Prej 1 janarit 2026 ka hyrë në fuqi skema e re e pagave për personelin e sistemit shëndetësor në vend.

Agjencia për Media dhe Informim (MIA) bëri me dije se në këtë skemë përfshihet rritje page bazë, shtesa më të larta për vjetërsi, urgjenca dhe shërbime kritike, si dhe mbështetje për punën në zona të largëta.

MIA informon se shtesat për vjetërsi në punë llogariten mbi pagën e pozicionit, ndërsa do të ketë një rritje progresive sipas viteve të shërbimit. Rritja do të jetë 0.6% për çdo vit (10 vitet e para), 0.8% për 20 vite pune dhe 1% për 30 vite shërbimi.

Gjithashtu, do të ketë shtesa për shërbimet kritike, të cilat llogariten, +18,000 lekë / muaj për mjekët në Urgjencë, Reanimacion, Hemodinamikë, Njësi AVC (Njësia e Aksidentit Vaskular Cerebral) dhe Neonatologji.

Sipas MIA-s, do të ketë shtesë +12,000 lekë / muaj për infermierë, teknikë imazherie dhe laboratori, urgjenca paraspitalore, urgjenca. Do të ketë pagesa të rritura dhe të diferencuara 2,700 lekë në ditë normale, 3,200 lekë në ditët e diela dhe festa dhe tarifa të veçanta për shërbime 24 orë, 16 orë dhe 12 orë.

Njëherësh, do të ketë kompensim mujor të rikonfirmuar për bluzat e bardha që ushtrojnë profesionin larg vendbanimit. Në këtë kategori përfshihen, mjekë dhe personel teknik. Kjo politikë e re pagash do të zbatohet në të gjitha institucionet shëndetësore publike, Ministria e Shëndetësisë, Forcat e Armatosura, Burgjet dhe Policia e Shtetit.

Me indeksim +2.5% dhe pagesa të diferencuara për roje e shërbime 24-orëshe, kjo paketë synon motivim, stabilitet dhe forcim të shëndetësisë publike.