Të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të krijuara deri në 31 dhjetor të vitit 2014 do të fshihen me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Projektligji për fshirjen e borxheve tatimore dhe doganore tashmë është gati dhe ka nisur të konsultohet me institucionet dhe grupet e interesit.
“Fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara, direkte apo indirekte, të papaguara, që i përkasin periudhave tatimore deri 31 dhjetor 2014, të cilat rezultojnë të regjistruara në llogaritë tatimore të tatimpaguesve apo të regjistruara në kontabilitetin e administratës tatimore, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj”, thuhet në projektligj.
Në nenin 5 të projektligjit që po diskutohet me grupet e interesit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, thuhet se tatimpaguesve që kanë sigurime shoqërore dhe shëndetësore të papaguara deri në 31 dhjetor 2024, do tu falen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat.
“Shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore deri 31 dhjetor 2014, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi, por pa përfshirë kontributin”, thuhet në pikën 2 të këtij neni.
Nga ‘Paqja Fiskale’ nuk do të përfitojnë të gjithë. Në projektligj është parashikuar që të gjithë bizneset që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetimi për vepra penale në fushën tatimore ose doganore nuk do të përfitojnë nga fshirja e detyrimeve.
SA BORXHE DO TË FALEN PËRMES ‘PAQES FISKALE’?
Projektligji është i hartuar në bazë të detyrimeve të akumuluara deri në 31 dhjetor të vitit 2024, ku rezulton se borxhet e krijuara deri në fund të 2014-ës janë 29.5 miliardë lekë ose afro 295 milionë euro. Nga këto borxhe 45.3 milionë euro janë për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, që nuk fshihen, përveç se i hiqen gjobat e kamatat. Pra nga detyrimet tatimore, pa sigurimet fshihen gati 249.7 milionë euro.
Ndërsa nga ana doganore, rezulton se borxhi i subjekteve me vjetërsi mbi 10 vjeçare arrin në vlerën 257.6 milionë euro, bashkë me interesat dhe kamatëvonesat.
Praktikisht borxhi me vjetërsi mbi 10 vjeçare, ose që është krijuar deri në fund të 2014-ës arrin në vlerën e 507.3 milionë euro.


