Pjesa e parë e ditës do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët në zonat bregdetare dhe në shumë qytete të zonës së ulët, ndërsa në zonat malore do të ketë kthjellime dhe vranësira të shpeshta.
Parashikohet që në orët vijuese vranësirat gradualisht të shtrihen në të gjithë territorin Shqiptar, ku më të theksuara do të jenë në zonat verilindore dhe juglindore, duke krijuar mundësi për momente me pika shiu vetëm në skajin juglindor të Shqipërisë.
Priten reshje të dobëta në qarqet Dibër, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër dhe lokale të dobëta në qarqet e tjera. Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet 21-28 °C, në vendet e ulëta 18-30 °C dhe në vendet malore 13-21 °C. Era pritet të jetë e lehtë deri mesatare.
Kosova
Pjesa e parë e ditës do të jetë nën dominimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të lehta në të gjithë territorin e Kosovës. Parashikohet që pasditja të vijojë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta në të gjithë republikën e Kosovës, ku më të theksuara vranësirat priten në zonat veriore dhe veriperëndimore por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit në orët e mesditës do të ngjiten deri në 28 gradë C në qytetin e Gjakovës.
Maqedonia e Veriut
Republika e Maqedonisë së Veriut vijon të jetë nën mbizotërimin intervaleve të gjata me kthjellime gjatë orëve të paradites por pritet që herë pas here të ketë dhe vranësira të lehta prezente. Ndërsa pjesa e dytë e ditë do të shtojë gradualisht vranësirat në të gjithë Maqedoninë e Veriut por mundësia për reshje është thuajse zero. Temperatura minimale do të shënohet në Gostivar 10 gradë C ndërsa maksimalja pritet të shënohet sërish në qytetin e Shkupit deri në 31 gradë C.
Rajoni dhe Europa
Rajoni i Balltikut si edhe Ishujt Britanikë do të paraqiten nën ndikimin e vranësirave të shumta të cilat sjellin në këto rajone të kontinentit reshje të shoqëruara, herë pas here me fuqizim të parametrit të erës.
Po ashtu me vranësira dhe shira intensivë vijon situata e motit në brigjet Egjeut si edhe brigjet e detit të zi, duke sjellë probleme në disa zona me përmbytjet ndërsa nën dominimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të lehta do të jetë e gjithë pjesa tjetër e Europës, ku kthjellime më të theksuara si edhe temperatura të larta priten në gadishullin Iberik dhe gadishullin e Ballkanit.