Nga 5 tetori, parkimi me pagesë hyn në fuqi në rrugët dhe sheshet publike të Durrësit.

Bashkia ka përcaktuar zonat, tarifat dhe oraret, ndërsa nënkryetari Gentian Kallmi ka dhënë sot detajet e skemës së re. Parkimi do të ndahet në dy zona. Në Zonën A tarifa është 100 lekë në orë, ndërsa në Zonën B 40 lekë në orë.

Gjatë periudhës 1 tetor-31 maj, pagesa do të aplikohet nga e hëna në të premte, nga ora 08:00 deri në 16:00. Pas orës 16:00, si edhe të shtunën dhe të dielën, parkimi në rrugë do të jetë pa pagesë. Ndërsa në sezonin veror, nga 1 qershori deri më 30 shtator, parkimi me pagesë do të zbatohet çdo ditë, nga ora 08:00 deri në 20:00.

Një kategori e veçantë konsiderohen rezidentët. Banorët e rrugëve ku aplikohet tarifa mund të përfitojnë abonim vjetor për një automjet, me kosto 10 mijë lekë. Për hapësirat publike të miratuara mes pallateve, rezidentët mund të pajisen pa pagesë me vërtetim parkimi.

Aplikimi bëhet pranë Njësisë Administrative ku qytetari ka vendbanimin. Pas verifikimit të dokumenteve, abonimi ose vërtetimi lëshohet brenda pesë ditësh dhe duhet të vendoset në një vend të dukshëm në automjet.

Skema e re përfshin edhe sheshet “Jorgji Ziu”, “Vollga” dhe parkimin pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. Në këto hapësira tarifa nis nga 100 lekë për qëndrimin deri në dy orë dhe shkon deri në 500 lekë për 12 deri në 24 orë. Pagesa bëhet me kartë bankare, përmes POS-it.

Ndërkohë, me nisjen e sistemit të ri është pezulluar dhënia e lejeve vjetore të parkimit për subjektet në rrugët e përcaktuara si zona me pagesë. Për hapësirat mes pallateve, sistemi për rezidentët do të nisë pas vendosjes së sinjalistikës përkatëse.
Bashkia e Durrësit thotë se përtej tarifimit qëllimi është organizimi i parkimit, reduktimi i parkimeve të parregullta dhe përmirësimi i qarkullimit në qytet.
Paralelisht, po punohet për shtimin e kapaciteteve të parkimit, përfshirë hapësirën pranë Portit të Durrësit dhe projektin për një parkim nëntokësor në sheshin e Mauzoleumit të Dëshmorëve. Për vitin e ardhshëm po shqyrtohet edhe zgjerimi i parkimit pranë shëtitores “Taulantia”.

Top Channel