Pjesë e Marrëveshjes së Paqes Fiskale janë edhe njerëzit që jetojnë në fshat dhe merren me punët e bujqësisë.
Të gjithë ata fermerë që kanë vite të prapambetura pa paguar sigurime shoqërore dhe shëndetësore, nëse vendosin të derdhin kontributet e tyre brenda këtij viti, nuk do të penalizohen as nga kamatvonesat dhe as nga gjobat. Por sipas ligjit të sigurimeve, ka një ndryshim midis fermerit të zonave fushore dhe atij në zonat malore, ku i fundit paguan 33.3% më pak se kolegu tij në Myzeqe.
Eksperti i Sigurimeve Shoqërore, Kujtim Hoxha, thotë: “Nëse qytetarët në fshat që kanë tokë bujqësore dhe kanë periudha të pambuluara, atyre u lind e drejta të sigurohen për ato vite, duke u përjashtuar nga kamatvonesa. Masa e kontributeve të fermerëve në fusha është 420 mijë lekë të vjetra bashkë me sigurimet shëndetësore, ndërsa për ata individë që jetojnë në zonat malore është e barabartë me 280 mijë lekë të vjetra”.
Për të pasur një pension të plotë pleqërie, një tjetër lehtësi është se njerëzit e fshatit do të derdhin më pak para se ata të qytetit.
“Krahasuar me ata që janë të vetëpunësuar në qytet dhe bëjnë sigurim vullnetar, sot për një vit paguajnë 1 milion e 300 mijë lekë. Ndërsa fshatarët vetëm 420 mijë lekë të vjetra”, shton Hoxha.
Që një fermer të përfitojë subvencione nga skema mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë, një nga kriteret bazë është dhe kontributi i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në të kundërt, në vend të përfitimit, fermeri do të presë refuzimin.
Top Channel
