Shqipëria po synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Për të arritur standardet e BE në shumicën e fushave duhen dekada, por në disa të tilla, si pensionet Shqipëria po bën hapa pas.
Pensionet mesatare në Shqipëri në raport me mesataren e BE-së po vijnë në ulje përllogarit Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare. Kjo do të thotë se pensionet në BE vitet e fundit janë rritur me ritme më të larta se në Shqipëri duke thelluar më tej hendekun, në vend që të ngushtohej.
Ekspertët e Vjenës përllogarisin se pensioni mesatar në Shqipëri ishte 8% e mesatares europiane në 2022, një diferencë që tregon hendekun e madh social dhe ekonomik që qytetarët shqiptarë përballen në moshën e tretë.
Në fillim të dekadës, në vitin 2010, pensionet shqiptare ishin sa 7.5% të mesatares së BE-së, një nivel shumë i ulët në krahasim me standardet europiane. Gjatë viteve në vijim kishte një rritje e qëndrueshme, duke arritur kulmin në vitin 2018, kur pensionet shqiptare arritën në rreth 9.3% të mesatares së BE-së. Ky ishte momenti më i favorshëm gjatë 2010-2022.
Pas vitit 2018, trendi ndryshoi ndjeshëm, pasi në 2019 – 2020 pensioni mesatar në vendin tonë zbriti sa 7.7% e nivelit të BE-së. Në vitin 2022 ka rimëkëmbje të lehtë duke u ngjitur në 8% të mesatares së BE-së.
Teksa gjatë dekadës së kaluar kishte një rritje te qëndrueshme ndërmjet pensionit mesatar në Shqipëri dhe pensionit mesatar në BE, trendi u kthye ne rënie pas pandemisë.
Ky regres lidhet kryesisht me nivelin e ulët të të ardhurave shtetërore për sistemin e sigurimeve shoqërore, informalitetin e lartë në tregun e punës dhe mungesës së mekanizmave që rrisin pensionet sipas kostos reale të jetesës. Ekspertët bëjnë thirrje se pa reforma të thella strukturore në financimin e pensioneve diferenca me BE do të vazhdojë të thellohet.
Personat mbi 60 vjeç përbenë në 29.2% të popullsisë totale në një janar të këtij viti, nga 15.4% që ishin në vitin 2011.
Teksa popullsia e përgjithshme është në rënie me rreth 15% ndërmjet censeve 2011 dhe 2023, personat në moshë pensioni po rriten, duke shtuar me tej presionin mbi skemën e sigurimeve shoqërore në periudha afatgjata.
INSTAT raportoi se popullsia mbi 60 vjeç arriti ne mbi 691 mijë persona në 1 janar 2025, ose 54 për qind më shumë se në vitin 2011.
Ekspertët e ekonomisë sugjerojnë se përmirësimi i të ardhurave për pensionistët bëhet duke rritur numrin e kontribuuesve në sigurimet shoqërore, përmirësim të administrimit të fondeve të pensionit dhe rritjen e pensioneve me ritmin e pagave mesatar, siç a e kanë bërë disa vende të Rajonit. /Monitor/