
Në shtator, shkollat duhet të jenë gati për të pritur nxënësit ndonëse mësimi do të kryhet në një situatë të veçantë të krijuar nga pandemia e koronavirusit. Specialisti i shëndetit publik Erjon Dasho thotë se duke parë vështirësinë e menaxhimit të situatës epidemiologjike në popullatë, aq më e vështirë do të jetë kontrolli i pandemisë në shkolla.
“Qeveria duhet të sigurojë buxhetin e nevojshëm për furnizimin e shkollave me maska për personelin, dezinfektantë e higjienizues pasi rekomandohet dezinfektimi i ambienteve çdo 2 orë, dorezat e dyerve, dritaret etj, ujin e bollshëm në rrjet për larjen e duarve të nxënësve. Po ashtu, nëse do duhet të zbatohet me përpikëri plani anticovid, mësimdhënia duhet të kryhet në klasa me 10-15 nxënës e për këtë do të duhet buxhet shtesë për zhvillimin e orëve ekstra për pjesën tjetër të nxënësve”, thotë për “Shqip” specialisti i shëndetit publik Erion Dasho.
Por çfarë duhet bërë në këto kushte? Specialisti Dasho thotë se duhet ngritur një grup pune multisektorial pra nga të gjitha institucionet dhe i përhershëm, me qëllim që duke parë dhe përvojën e huaj të hartojnë një plan strategjik me bazë të gjerë rekomandimesh e udhëzimesh nga ekspertē të fushave të ndryshme si ekonomistë, psikologë, pedagogë e mjekê epidemiologë.
“Ajo që duhet kuptuar është se shkolla nuk është një ishull. Ajo është pjesë e një sistemi dhe për sa kohë pandemia është e vështirë të kontrollohet në popullatë, në shkolla do të jetë e pamundur”, thotë Dasho.
Nisur nga infrastruktura shkollore, specialisti i shëndetit publik thotë se jo të gjitha duhet të jenë pjesë e planit strategjik.
“Ka shkolla që nuk kanë numër të madh nxënësish e për pasojë nuk kanë nevojë të kryejnë mësimin me turne por ka dhe shkolla të mëdha sidomos në qytete të cilat janë vatra të nxehta të infeksionit si Tirana e Durrësi ku duhet përqendruar më shumë vëmendja”, tha për “Shqip”, specialisti i Shëndetit Publik Erjon Dasho.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
